Transmetuar më 09-06-2023, 22:15

TIRANË- Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) njofton se një person është arrestuar nën akuzën për “Korrupsion aktiv në zgjedhje”.

Shtetasi i identifikuar si Klodian Kapedani, banues në Kavajë, iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave të tjerë shuma monetare, me qëllim për të marrë pjesë në votime. Me kërkesë të SPAK është vendosur caktimi i masës së sigurimit “Arrest në burg” për Klodian Kapedanin.

Njoftimi

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zhvilluar hetime në lidhje me procedimin penal nr.88 viti 2023 që bën fjalë për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.

Nga veprimet hetimore të kryera në lidhje me këtë procedim penal, janë krijuar dyshime se shtetasi K.K, me banim në Kavajë, në datën 14.05.2023, datë në të cilën janë zhvilluar zgjedhjet e përgjithshme vendore për zgjedhjen e organeve të qeverisjes vendore, iu ka premtuar dhe iu ka ofruar personave të tjerë shuma monetare me qëllim për të marrë pjesë në votime, për të siguruar pjesëmarrjen edhe të personave të tjerë në votime, si dhe për të përcaktuar mënyrën e votimit.

Në kuadër të hetimeve paraprake të këtij procedimi penal, me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, me vendimin me nr.58, datë 09.06.2023 të Gjykatës Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë, është vendosur: – Caktimi i masës së sigurimit “Arresti në burg” të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për personin nën hetim K.K, (Klodian Kapedani) i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, të parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal.