Transmetuar më 29-08-2023, 06:23

Italianët dhe evropianët e tjerë zgjedhin vendin tonë për plazhet e bukura, peizazhet piktoreske dhe çmimet që disa besojnë se janë më të mira

Kamerieri në një restorant në një hotel në bregdetin e Sarandës u kërkoi falje klientëve që sapo kishin mbërritur për shkak se restoranti ishte i mbushur plot dhe nuk kishte më asgjë për të ngrënë.

“Italianët kanë ngrënë gjithçka. Pushtimi italian po vjen sërish dhe këtë herë për mirë”, tha me shaka kamarieri, ndërsa i shpjegoi një klienti vendas mundësitë e kufizuara të mbetura për të ngrënë për shkak të rritjes së turizmit dhe dhjetëra mijë të ardhurve nga Italia në Sarandë, në jug të vendit tonë, pranë kufirit grek.

Disa kujtojnë pushtimin e Shqipërisë nga regjimi fashist i Italisë nën Musolinin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Tetë dekada më vonë, italianët janë pjesë e rëndësishme e një produkti turistik në rritje dhe gjithnjë e më fitimprurës që vitin e kaluar përbënte 20% të PBB-së në një vend ballkanik ku rritja ka qenë shumë e ngadaltë.

“Ky numër ka gjasa të rritet në vitin 2023”, tha ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro. Italianët mbërrijnë me fluturime me tranzit ose me anije, duke udhëtuar një distancë prej vetëm 80 kilometrash përgjatë detit Adriatik.

Por nuk janë vetëm italianët ata që joshen nga plazhet e pacenuara, peizazhet e egra piktoreske dhe çmimet më të lira në krahasim me destinacionet e tjera si Greqia, Spanja e madje edhe Italia.

Shumë europianë bënë një zbarkim të vërtetë në bregdetin shqiptar për pushimet e tyre verore.

“Për vite me radhë kemi dëgjuar shumë për Shqipërinë – plazhe të mira dhe pa dyshim çmime të lira, dhe këtë vit së bashku me miq të tjerë vendosëm të organizonim një udhëtim këtu”, tha turistja italiane Daniela Coutini.

“Pothuajse 80% janë turistë dhe pjesa tjetër janë shqiptarë”, tha Aurora Marku, menaxhere e një plazhi të vogël me rërë të bardhë pranë Shën Sarandës, teksa vendoste shezlongët për dy grupe turistësh italianë.

Shifrat tregojnë se numri i turistëve u rrit me 25% këtë vit në korrik në Shqipëri, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2022.

Në shtatë muajt e parë të 2023, më shumë se 5.1 milionë të huaj – mes tyre më shumë se 430,000 italianë, 50% më shumë se vitin e kaluar – vizituannShqipërinë krahasuar me 3.9 milionë një vit më parë.

Quentin Billon, drejtor menaxhues francez i agjencisë së udhëtimit Breathe in Travel, tha se turistët e huaj tërhiqen jo vetëm nga plazhi, por edhe nga kurioziteti për të zbuluar një vend të ri.

"Për ta është zbulim i një toke të re që është me të vërtetë e panjohur dhe që ka qenë e mbyllur për shumë e shumë vite," tha ai, "dhe tani është mjaft e hapur për turizmin që po lulëzon."

Për gati 50 vjet Shqipëria ishte pothuajse në izolim të plotë nën diktatorin komunist Enver Hoxha, gjatë të cilit askush nuk mund të largohej nga vendi dhe turistët e huaj u ndaluan, raporton noa.al duke cituar Reuters.

Kryeministrja Giorgia Meloni ishte mes dhjetëra mijëra italianëve që pushuan në Shqipëri në korrik. /noa.al