Transmetuar më 18-09-2023, 10:30

Në zgjedhjet e 14 majit, Beleri, kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” të Sali Berishës, u shpall fitues në bashkinë Himarë përballë socialistit Jorgo Goro me një diferencë prej 19 votash

Edhe një përpjekje tjetër në gjykatë e Fredi Belerit dhe strukturave të shumta në Shqipëri dhe Greqi të angazhuara me të, ka dështuar sot në mëngjes.

Apeli i GJKKO vendosi të lërë në fuqi masën e arrestit me burg pa afat për Fredi Belerin.

Në seancën e sotme tek Gjykata e Posaçme e Apelit ishte e pranishme edhe ambasadorja e Greqisë në Tiranë, Konstantina Kamitsi.

Ajo i ka bërë dhe më herët thirrje drejtësisë shqiptare që të lirojë Fredi Belerin, në mënyrë që ky i fundit të betohej dhe të ushtronte detyrën si Kryebashkiak.

Beleri kërkoi një masë më të lehtë sigurie, që të mos humbasë postin e kryetarit të bashkisë së Himarës që e fitoi më zgjedhjet vendore të 14 majit, raporton noa.al.

Beleri u arrestua 2 ditë para zgjedhjeve nën akuzën e shitblerjes së votave. Hetimet ndaj tij kishin nisur më 9 maj pas referimit të rastit nga policia e Vlorës.

Policia tha se ky hetim u mbështet me pamje filmike dhe përgjime pasi një agjent i infiltruar i saj, përgjoi momentin kur bashkëpunëtorët e Belerit dhanë 40 mijë lekë për 8 vota.