
Një Inter shkatërrues, një Milan shqetësues, një Juve bindëse dhe një Napoli zhgënjyes (por me vullnet të fortë). E shtuna e madhe e futbollit në Itali iu jep këto mbiemra katër skuadrave të mëdha, që dolën në fushë në kuadrin e javës së katërt të Serie A.
E cila përshkruan renditjen e mëposhtme: Interi në arrati, me 12 pikë, me sulmin më të mirë (13 gola) dhe mbrojtjen më të mirë (ka pësuar vetëm një gol, nga Leao pas 327 minutash lojë); Juventusi ka 10 pikë, Milani 9. Pjesa tjetër… bakshish. Përfshirë kampionin e Italisë, Napoli, që barazoi në 2-2 në “Marassi”, ndaj Genoa. Por le të përqendrohemi në podiumin e përkohshëm të Serisë A.
Kishin kaluar pothuajse 40 vite që kur Interi kishte fituar një derbi duke shënuar 5 gola. Precedenti i fundit daton më 24 mars 1974, Milan-Inter 1-5. Nga këta, tre gola në harkun e nëntë minutave (Oriali në minutën e 5-të, autogol nga Tato Sabadini në minutën e 7-të, Boninsegna në minutën e 9-të). Humbja e një derbi me katër ose më shumë gola është një goditje e vështirë për t’u tretur.
Megjithatë, tifozët e Milanit kohët e fundit janë mësuar me këtë, mjerisht. Sepse është hera e pestë në 20 vitet e fundit që ndodh një gjë e tillë. Para 5-1 të freskët, kuqezinjtë kanë regjistruar disfata të thella 4-2, në shkurtit 2020, 4-2 i majit 2012, 4-0 i gushtit 2009 ("parathënia" e tripletës së Mourinho) dhe 4-3 i tetorit 2006.
Ata që e duan Milanin mund të kujtojnë me nostalgji vitin e hirit 2001, por tani kaq larg në kohë: Inter-Milan 2-4, në tetor, derbi i parë i kampionatit 2001-2002, dhe mbi të gjitha 0-6 i 11 majit të famshëm (2000-2001), nata magjike e Comandinit (dopietë) me Cesare Maldini në stolin kuqezi dhe Marco Tardellin në atë të Interit.
Shtypi, radio, televizioni, faqet e internetit, mediat sociale: duhet të ketë një falje kolektive drejtuar Simone Inzaghit. Ngrini dorën nëse nuk keni shkruar, thënë apo menduar keq për trajneri nga Piacenza në prag të këtij derbi.
Shumë nxituan ta kritikojnë se po mban në stol Frattesin, heroin e fitores së Italisë ndaj Ukrainës, për të lënë plakun Mkhitaryan të luajë. Në minutën e 19-të të pjesës së dytë, Frattesi ishte në fushë në vend të Barella dhe shënoi golin e parë personal në derbin e Madoninës.
Një mbrëmje e keqe për t’u harruar për gjermanin Thiaw, i kaluar lehtë nga Thuram në lëvizjen që solli rezultatin 1-0 (me golin e Mkhitaryan). Francezi bëri sërish shaka me mbrojtësin kuqezi në rastin e golit të mrekullueshëm, që dyfishoi epërsinë e Interit. Për Thiaw, nota 4 do të ishte një vlerësim bujar.
Gjithsesi, goli i parë i Interit fotografoi një mbrojtje kolektive të Milanit të hutuar dhe pa përqendrim. Janë shtatë lojtarë kuqezinj, plus Maignan, që "vëzhgojnë" prekjen fituese të mesfushorit armen brenda zonës së penalltisë.
Pra, ky gol ka gabimin e individit (Thiaw), por edhe atë të kolektivit. Me përgjegjësi të dukshme edhe të trajnerit Pioli, i cili me derbin e pestë të humbur radhazi arrin të thotë se “në 4 minutat e para ishim të vetmit që kishim topin”. Qesharake.
Juventusi meriton notën 10. Që kur Massimiliano Allegri u kthye në stolin bardhezi, “Zonja e Vjetër” nuk kishte arritur kurrë pikë dyshifrore pas 4 ndeshjeve të para. Vitin e kaluar, në këtë kohë, bardhezinjtë kishin grumbulluar 8 pikë (fitore në shtëpi me Sassuolo dhe Spezia, barazime në shtëpi me Romën dhe Sampdoria).
Më 2021-2022, sezoni i rikthimit të Max, pas dy viteve pushim, vetëm 2 pikë në javën e katërt: barazimi në Udine, disfata në Napoli dhe në shtëpi kundër Empolit, barazimi në shtëpi me Milanin. Për herë të tretë që kur u bashkuan me Juventusin, Dusan Vlahovic dhe Federico Chiesa shënuan së bashku.
Protagonistët e 3-1 ndaj Lazios (një dygolësh nga serbi, një gol nga numri 7) tashmë kishin festuar së bashku në Udine, në ndeshjen e parë të kampionatit. Një gol rrufe pas 2 minutash lojë nga Chiesa, i dyti nga Vlahovic me penallti në minutën e 20-të, para se Rabiot ta dërgonte në 3-0 rezultatin, në fund të pjesës së parë.
Sezonin e kaluar të dy kishin luajtur pak bashkë, duke shënuar si dyshe në fushë vetëm në ndeshjen e dytë të “Europa League” në Gjermani, kundër Freiburgut: 0-2, penallti nga Vlahovic, në fund të pjesës së parë, dhe goli i dytë i Chiesa, pas minutës së 90-të.
Me fanellën vjollcë, Federico dhe Dusan kishin shënuar së bashku në tri raste, në sezonin 2019-2020. Në përmbledhje: mes Juventusit dhe Fiorentinës, Vlahovic dhe Chiesa kanë shënuar së bashku gjashtë herë dhe të gjashta herët rezultuan me fitore…