Transmetuar më 18-09-2023, 15:50

Ndërsa dukuria e basteve, e sulmuar fort nga kryeministri, u zhduk me ligj 5 vite e gjysmë më parë, ajo po vazhdon tek-tuk në të zezë. Por tani pritet riligjërimi i tyre pasi qeveria ka miratuar me vota shumice në Kuvend, ligjin për lejimin e tyre sërish në Shqipëri. Një projektligj që u refuzua të votohej nga opozita.

Projektligji “Për lojërat e fatit në Republikën e Shqipërisë” ka marrë 12 vota pro dhe 4 kundër në Komisionin për Çështjet Ligjore.

Drafti u kundërshtua nga deputetët e opozitës, të cilët thanë se rikthimi i basteve, nga njëra anë do të sjellë pasoja të jashtëzakonshme për qytetarët shqiptarë dhe nga ana tjetër do të ketë një tjetër monopol në treg.

“Ky projektligj bëhet për interesa të caktuara. Ai që e ka iniciuar, ai që bëri propagandë të madhe, Edi Rama, po e bën për t’ia dhënë disa individëve që u intereson. Kriteret janë diskriminuese, duket që janë për një monopol të caktuar. Pasojat do të jenë të jashtëzakonshme.

Imagjinoni kur të lejoni që brenda shtëpisë përmes telefonit të vihen bastet online dhe plagët sociale do të jenë të jashtëzakonshme. Po i bëni për të larguar qytetarët shqiptarë nga Shqipëria,” deklaroi deputeti demokrat, ish kryepolici Asllan Dogjani.

Kryetarja e komisionit Klotilda Bushka mbrojti rikthimin e basteve dhe u shpreh se realiteti shqiptar sjell nevojën për marrjen e disa masave. Sipas saj, ky draft ligjor është në përputhje me kuadrin ligjor, ndërsa vuri theksin te nevoja për forcimin e masave.

“Bëhet fjalë vetëm për bastet online. Duhen marrë masa nisur nga nevoja dhe realiteti ku jetojmë. Nëse një aktivitet ndodh në mënyrë të paligjshme dhe ne kemi mbi 5.000 raste ku na ndodhin çuarja përpara përgjegjësisë penale të shtetasve, na duhet të marrim një masë.

Projektligji vjen në përputhje me kuadrin ligjor. Kërkesa e subjekteve që të mos luajnë persona të familjeve të tyre, vlejnë. Duhet të kemi në konsideratë propozimet e kolegëve se si të forcohen më shumë këto masa për komisionin përgjegjës,” tha kryetarja Bushka.

Projektligji parashikon rihapjen online të basteve sportive, dhe jo të gjitha basteve siç kanë qenë më parë në pika fizike. Megjithatë, nuk duket se ka pengesa që njësitë tregtare fizike të ofrojnë këtë shërbim.

Nga organizatorët do të kërkohet që të derdhin 15% të të ardhurave bruto për Fondin e Posaçëm, fond që do të krijohet për mbështetjen e sportit, artit, kulturës dhe teknologjisë së inovacionit.