Transmetuar më 22-09-2023, 11:49

Dita e martesës së një çifti në Jordani u përlye fatalisht me gjak, pasi dhëndri u qëllua për vdekje nga një mysafir që po qëllonte në ajër për të festuar.

Ngjarja ka ndodhur më 30 gusht, por video tronditëse që gjeni më poshtë ka dalë në dritë në 24 orët e fundit.

Viktima, një 20-vjeçar, ka qenë punonjës policie dhe Drejtoria e Sigurisë Publike pas ngjarjes tragjike ka dalë me një deklaratë ku ndër të tjera u kërkon qytetarëve që të ndalojnë këtë “ves vdekjeprurës” të martesave.

Në njoftim theksohet se kushdo që ka qëlluar ndonjëherë në një dasmë apo në ndonjë festë tjetër, si një akt “burrërie” apo shprehje gëzimi ka ndihmuar në promovimin e kësaj tradite dhe është bashkëpunëtor në vrasjen në fjalë.

Shikoni videon [imazhe të vështira]:

Burri që ka qëlluar është arrestuar në të njëjtën ditë dhe arma është konfiskuar.

Njoftimi i Drejtorisë së Sigurisë Publike kujton incidentet e mëparshme kur të shtënat "festive" kanë çuar në vdekjen e kalimtarëve të pafajshëm.

"Dëshmimi në heshtje i veprimeve të tilla dhe moskallëzimi i tyre i bën të gjithë bashkëfajtorë në krim", thotë autoriteti policor që citon noa.al.

Të shumtë ishin ata që me rastin e kësaj tragjedie të fundit kërkuan dënime më të rrepta për ata që vazhdojnë këtë “zakon”.

“Më dhemb zemra për këtë të ri edhe pse nuk e njoh… kur do të përfundojë kjo traditë e tmerrshme?”, ka shkruar një përdorues në Facebook.

Neni 330 i Kodit Penal parashikon burgim deri në tre muaj dhe gjobë ose të dyja për përdorim të paautorizuar të armëve të zjarrit ose lëndëve plasëse.

Duke folur për Jordan Times, avokati Sakhr Khasawneh shpjegoi se kur vepra rezulton me vdekje, autori do të dënohet me punë të rëndë për një periudhë prej të paktën 10 vjetësh. /noa.al