
I intervistuar nga “TvPlay.it”, si pjesë e programit “Vox To Box”, Mario Balotelli filloi duke folur për Milanin, duke u përpjekur gjithashtu ta propozonte veten si zëvendës i Giroud: "Problemi me Milanin sot është që, nëse Leao nuk është mirë, kuqezinjtë sikur mpaken. Milani është shumë i varur nga Leao.
A ka nevojë Milani për një zëvendës të Giroud? Unë jam këtu (qesh). ‘San Siro’ nuk është një stadium si të tjerët. Jo të gjithë mund t’i përballojnë presionet e atij stadiumi, nuk është për të gjithë lojtarët. Përveç blerjes së lojtarëve të fortë, menaxhmenti duhet të punësojë lojtarë me shumë personalitet".
Balotelli kishte një mendim edhe për bardhezinjtë e Allegrit: "Ta shohësh Juventusin kështu të dhemb zemra. Ndërsa për Szczesny ju them se goli i parë i pësuar ndaj Sassuolos ishte gabim i tij, por këta topa janë të vështirë për t’u kapur. Ai me siguri mund të kishte bërë më shumë, por nuk duhet të masakrohet.
Vlahovic është shumë i fortë, ka ligësi dhe ndjenjë goli. Ai nuk ka ndikim, sepse është skuadra që nuk funksionon. Vlahovic e sheh veten në një situatë të vështirë. Ronaldo dhe Messi janë dy lojtarët e vetëm që, në një situatë komplekse si ajo që po ndodh me Juventusin, mund të bëjnë diferencën”.
Deklaratat e Balotellit prekën edhe Mancinin, ndaj të cilit nuk munguan kritikat: “Ai ishte si baba për mua gjatë kohës tek Interi dhe City. Roberto bëri gabim që nuk më grumbulloi mua për ndeshjen kundër Maqedonisë së Veriut, ku vendosej fati i kualifikimit në Botërorin e Katarit.
Kam hequr dorë nga disa gjëra për të luajtur në liga konkurruese dhe i kam vuajtur ato, por i detyrohem shumë për karrierën time. E kuptoj që kur futesh në kombëtare, si trajner, nuk mund të marrësh gjithçka që do".
Ndër trajnerët që Balotelli ka takuar në karrierën e tij ishte edhe Mourinho: "Ai nuk ka qenë kurrë një trajner me lojë të shkëlqyer. Jose është më karizmatik, të jep grintë dhe keqdashje konkurruese. Ai ka idetë e tij për lojën, por nuk punon shumë për taktikat.
Ka një karakter të bukur Mourinho, është i veçantë. Kishte edhe zënka me të, por dinte si ta motivonte ekipin. Ai nxjerr më të mirën dhe më të keqen tek ti. Interi për të cilin luajta ishte një skuadër me 25 fenomenë.
Mourinho mbërriti te Roma dhe fitoi Ligën e Konferencës, është një trajner që fiton gjithmonë. Kjo është diçka që duhet ta kesh brenda vetes. Nuk mund ta sulmosh kot Mourinhon, sepse është i paarritshëm. Mancini kishte të njëjtën skuadër tek Interi, por nuk fitoi dot si Mourinho".