Integrimi dhe vizat, Meta i përgjigjet Parlamentit

ilir_meta_ne_parlament_noa.jpg

Tiranë, 5 Shkurt NOA - Në datë 12 nëntor 2009, u miratua në seancë plenare, nën procedurën e konsultimit, raporti i eurodeputetes Tanja Fajon, në bazë të së cilës parashikohej heqja e vizave për Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë brenda fundvitit të 2009-ës dhe propozohej heqja nga lista negative e Rregullores 539/2001të Shqipërisë dhe Bosnjë-Hercegovinës sapo këto vende të kenë plotësuar të gjitha kushtet e Udhërrëfyesit.

Lidhur me ecurinë e kohës nga kjo datë dhe deri sot, ka folur gjatë në Kuvend zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtpm Ilir Meta i cili u ndal në interpelancë në tre pyetje:

Z. Meta, pse Shqipëria nuk u përfshi në listën e tre vendeve (Serbi, Mali i Zi dhe Maqedoni), të cilat përfituan liberalizimin e vizave në dhjetorin e kaluar (2009)?

Pyetja që ju shtroni se përse Shqipëria nuk ishte në listën e tre vendeve të BP (Serbi, Mali i Zi, dhe Maqedoni) të cilët përfituan nga liberalizimi i vizave, kërkon një përgjigje sa komplekse në terma teknikë aq edhe të thjeshtë në kontekstin politik dhe historik.

Më lejoni t’i parashtroj më konkretisht dhe në një rrafsh më praktik këto dy aspekte, sepse jo rrallë herë opozita ka spekuluar me këtë çështje duke dashur të fitojë artificialisht kapital politik. 

Ajo çfarë duhet të theksohet që në fillim është fakti që liberalizimi i vizave është një proces i cili kurorëzohet me plotësimin e plotë të një sërë kriteresh rigoroze të specifikuara në atë çfarë quhet “udhërrëfyesi” i Komisionit Evropian.

Praktikisht këto kritere kategorizohen në 4 blloqe, ku i pari ka të bëjë me një nga elementët më kryesorë të udhërrëfyesit, atë të sigurisë së dokumenteve, ku rolin primar e zë prodhimi dhe shpërndarja e pasaportave biometrike.

Pra, pajisja e qytetarëve me pasaporta biometrike ishte dhe është parakusht për liberalizimin e vizave në hapësirën Schengen.

Në raundin e vlerësimeve të para në maj 2009, Komisioni Evropian konsideroi se Shqipëria kishte bërë progres, por gjithashtu evidentoi disa sektorë ku nevojitej përparim i mëtejshëm.

Një nga detyrimet kyçe për t’u plotësuar ishin prodhimi dhe shpërndarja e pasaportave biometrike, për të cilat puna filloi relativisht me vonesë për shkak të periudhës së zgjedhjeve të përgjithshme në vend, ku e gjithë vëmendja ishte përqendruar në prodhimin dhe shpërndarjen e kartave të identitetit.

Kështu, sa për t’ia rifreskuar memorien e shkurtër politike opozitës aktuale, më duhet të rikujtoj se viti 2009 ishte një vit elektoral ku fokusi kryesor i politikës ishte pjesëmarrja në votime dhe me të drejtë e gjithë vëmendja ishte tek prodhimi i kartave të identitetit, si kusht për votimin në zgjedhjet e përgjithshme. Për rrjedhojë, deri në mesin e vitit 2009 e gjithë infrastruktura ishte në shërbim të plotë të prodhimit të kartave të identitetit për të arritur mbulimin e të gjithë qytetarëve që kishin të drejtë vote dhe që nuk kishin pasaportë të vlefshme.

Ne arritëm të prodhonim një numër simbolik pasaportash biometrike në muajt maj qershor 2009, por që kurrsesi nuk përmbushte detyrimin e bllokut 1 në atë masë që ai është realizuar sot.

Ndaj pritshmëritë tona për vlerësimin e Komisionit Evropian më 15 korrik 2009 për liberalizimin e vizave ishin realiste, kur dhe u bë propozimi zyrtar për heqjen e regjimit të vizave me Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, të cilat përfituan nga lëvizja e lirë më 19 dhjetor 2009.

Objektivisht, në këtë proçes ishim shumë larg tre vendeve të tjera të rajonit të cilat kishin vite që lëshonin pasaportat biometrike.

Nga ana tjetër, konteksti i ndryshëm historik dhe përvoja e veçantë e Shqipërisë në raport me vendet e tjera të rajonit në drejtim të lëvizjes së qytetarëve drejt vendeve të Europës Perëndimore, dëshmon pikënisjen e ndryshme që ne patëm në këtë proces me dimension rajonal dhe vetëshpjegon më së miri arsyet që ndikuan në mospërfshirjen e Shqipërisë në raundin e parë të liberalizimit.

Praktikisht, qytetarët e Maqedonisë, Serbisë apo Malit të Zi, dikur si pjesë e Federatës së Jugosllavisë lëviznin lirshëm në të gjithë Europën, madje ata edhe mund të punësoheshin atje, ndërkohë që ne na duheshin “viza” për të lëvizur brenda qyteteve tona. Në përfundim të përgjigjes së kësaj pyetje, nëse do më duhej ta ilustroja në mënyrë metaforike, do të thoja që procesi i liberalizimit të vizave i ngjason një gare ku ka një fillim (start) dhe një mbarim (finish).

Tashmë ia vlen të theksohet fortë dhe është shumë inkurajuese për të gjithë që Shqipëria edhe pse nuk kishte start të njëjtë me Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi, me “sprintin” e saj shumë të shpejtë në këto muajt e fundit po i afrohet finishit (heqjes së vizave) kaq shumë të mirëpritur nga qytetarët shqiptarë.

A mund të na thoni progresin e bërë deri tani në lidhje me proçesin e liberalizimit të vizave në kuadër të plotësimit të kritereve të udhërrëfyesit të Bashkimit Europian?

Duke marrë në konsideratë kontekstin historik dhe zhvillimet politike në Shqipëri dhe në vendet tjera të Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Evropian vendosi të ndërtojë një proces të qartë, të matshëm dhe konkret për liberalizimin e regjimit të vizave me vendet tona.

Për këtë, u hartua një Udhërrëfyes, i cili u dorëzua zyrtarisht në qershor 2008.

Siç e përmenda pak më parë Udhërrëfyesi është i ndërtuar në katër blloqe detyrimesh:

1. Siguria e Dokumenteve;

2. Migrimi, menaxhimi i kufirit dhe ripranimi;

3. Rendi publik dhe siguria;

4. Marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore.

Gjatë gjithë kësaj kohe ka patur një proces komunikimi konstant me Komisionin Europian, ku pala shqiptare ka dorëzuar informacion të përditësuar për shkallën e përmbushjes së kritereve të Udhërrëfyesit (shtator 2008, janar 2009, tetor/nëntor 2009, janar 2010). 

Të dhënat e paraqitura nga ne verifikohen nga grupe ekspertësh, të cilët zhvillojnë takime në terren dhe ballafaqojnë vërtetësinë e të dhënave dhe japin rekomandime për përmirësime të mëtejshme. 

Që nga shtatori 2009 dhe në vazhdim, siç u theksua dhe më lart, për vetë sensibilitetin dhe rëndësinë historike që liberalizimi i vizave ka për qytetarët tanë e gjithë vëmendja, energjitë, dhe angazhimi janë përqendruar në etapat e fundit të këtij procesi, i cili po zhvillohet njëkohësisht në tre drejtime.

Së pari, në angazhimin institucional në vend me fokus zbatimin e të gjitha detyrimeve që përmban udhërrëfyesi;

Së dyti në zhvillimin e dialogut me strukturat e BE-së, Komisionin, Këshillin dhe Parlamentin Evropian;

Së treti në marrëdhëniet me vendet anëtare, të cilave iu bëhen gjithashtu me dije të gjitha arritjet tona në këtë kuadër. 

Në këtë kuadër, më lejoni që në mënyrë të përmbledhur t’ju jap një panoramë të progresit të prekshëm dhe arritjeve konkrete që janë bërë për çdo bllok të Udhërrëfyesit:

1) Siguria e Dokumenteve:

Më duhet të ritheksoj, se pasaportat biometrike janë një nga detyrimet kyçe të udhërrëfyesit, pasi vetëm qytetarët e pajisur me pasaporta biometrike do të kenë të drejtën të udhëtojnë pa viza drejt hapësirës Shengen.

Ashtu sikurse është konstatuar nga të gjithë ne tashmë, Shqipëria ka shënuar një revolucion të vërtetë në dokumentet biometrike, si kartat e identitetit ashtu edhe pasaportat.

Ka një kapërcim galopant nga regjistrat e vjetër manualë, në një sistem të kompjuterizuar dhe të sigurt të dhënash; nga seriali i çertifikatave në karta identiteti multifunksionale.

Sajë këtij sistemi modern, të shpejtë dhe efikas, ritmi i shpërndarjes së pasaportave biometrike rezulton të jetë më i larti në rajon, dhe tejkalon çdo parashikim tonin apo të Bashkimit.

Numri i pasaportave biometrike ka arritur në 466.307, dhe i kartave të identitetit në 1.913.192. Të rëndësishme janë edhe aspektet e sigurisë, së vetë dokumenteve dhe qendrës së personalizimit, programet antikorrupsion, procedimi i menjëhershëm i të dhënave të pasaportave të humbura, të cilat mbyllin plotësimin e të gjitha detyrimeve për këtë bllok.

Në 14-17 dhjetor 2009 u zhvillua raundi i dytë i misionit të ekspertëve të BE për Bllokun 1, në përfundim të së cilit u konkludua se pala jonë i ka përmbushur të gjitha çështjet e mbetura që nga vizita e fundit e ekspertëve në mars 2009.

2) Migrimi, menaxhimi i kufirit dhe ripranimi

Në këtë bllok, ku puna është përqendruar në menaxhimin e kufirit, ka patur përmirësime thelbësore nëpërmjet vënies në funksionim të teknologjive të reja nga më të avancuarat në Evropë për menaxhimin e integruar të kufijve. Arritja më domethënëse është instalimi dhe funksionimi i plotë i sistemit TIMS, në të 26 Pikat e Kalimit Kufitar (PKK).

Së fundmi ka përfunduar me mbështetjen e ICITAP dhe krijimi i moduleve për e-visa dhe e-leje qëndrimi, të cilat janë instaluar në sistemin TIMS dhe aktualisht janë në proces testimi nga strukturat e Ministrisë së Brendshme dhe shërbimet konsullore të Ministrisë së Jashtme, të cilave iu është mundësuar aksesi në këtë sistem. 

Po punohet për hartimin e një banke të dhënash kombëtare për regjistrimin e të huajve.

Është unifikuar sistemi i kontrollit në PKK sipas parimit one-stop-shop, që përfshin kontrollin e dokumentacionit, doganor dhe fitosanitar, si dhe është ngritur Qendra Ndërinstitucionale Operacionale Detare për kontrollin e kufirit detar. 

Janë miratuar të gjitha aktet ligjore dhe nënligjore dhe për kontrollin dhe survejimin e kufirit, të cilat janë tashmë në zbatim, si strategjia dhe plani i veprimit për Menaxhimin e Integruar të Kufirit (MIK). 

Gjithashtu, progres është shënuar dhe për sa i përket miratimit të të gjitha akteve ligjore e nënligjore për zbatimin e ligjit mbi azilin dhe Planin e veprimit për zbatimin e ligjit për të huajt. 

Ka përfunduar instalimi i 63 lexuesve të rinj optikë për kontrollin dhe leximin e pasaportave biometrike në 25 PKK. 

Funksionon plotësisht në 11 drejtori të policisë në qarqe dhe në 8 Drejtoritë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit sistemi i analizës së informacionit kriminal MEMEX. Në të gjitha PKK ka një lidhje në kohë reale me bazën e të dhënave të INTERPOL.

Është përfunduar procesi i instalimit të pajisjeve për leximin automatik të targave të makinave dhe është mundësuar lidhja me bazën e të dhënave për automjetet e vjedhura në tre PKK dhe është duke përfunduar instalimi në një PKK tjetër. 

Është instaluar sistemi i monitorimit me kamera në 7 PKK dhe vazhdon puna në 2 PKK të tjera. 

Blerja e 4 pajisjeve për kontrollin e drogave “Videoscope” me 2 drejtime leximi në PKK të Kapshticës, portin e Vlorës dhe të Durrësit do të rrisë aftësitë e policisë për detektimin e substancave narkotike. 

Në shkurt 2010 pritet të përfundojë ndërtimi i 10 PKK-ve të reja dhe rikonstruksioni i 20 ambienteve për monitorimin e kufirit, të realizuara me mbështetjen financiare të BE-së.

3) Rendi publik dhe siguria

Ky është blloku më kompleks i udhërrëfyesit, pasi çështjet që trajtohen në këtë bllok janë më pak të matshme, dhe kërkojnë një punë dhe angazhim afatgjatë.

Këtu është parë me prioritet zbatimit i strategjisë kundër krimit të organizuar, trafiqeve dhe terrorizmit sipas plan veprimit me masat për çdo institucion sipas një kalendari të qartë.

Në vijim të miratimit dhe hyrjes në fuqi të ligjit të ri kundër krimit të organizuar (antimafia), zbatimi i tij, i strategjisë dhe i planveprimit do të monitorohet në harmoni dhe në mënyrë integrale, me rigorozitetin më të madh dhe në mënyrë sistematike nga Komiteti Ndërinstitucional për Masat kundër Krimit të Organizuar, Trafiqeve dhe Terrorizimit.

Gjithashtu, angazhimi i qeverisë për rinovimin e moratoriumit për mjetet e fuqishme lundruese do të ketë efektet e duhura dhe do të jetë në funksion të luftës kundër krimit të organizuar.

Përsa i përket rezultateve të përgjithshme lidhur me masat kundër krimit financiar, vetëm gjatë vitit 2009 janë konfiskuar 3,736,275 euro në llogari bankare dhe tashmë pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri kundër krimit të organizuar pritet që këto rezultate të njohin ngritje substanciale.

Gjithashtu, deri në janar 2010 janë raportuar evidentimi i 383 veprave penale me 84 autorë të arrestuar dhe 15 të shpallur në kërkim. 

Në luftën kundër trafikimit të drogës, është në zbatim strategjia dhe plan veprimi përkatës. Vetëm për periudhën 15 nëntor 2009 –22 janar 2010 janë evidentuar 77 raste me 101 autorë të identifikuar, 82 persona të arrestuar; 16 në ndjekje penale në gjendje të lirë dhe 3 në kërkim.  

Bazuar në informacionin e siguruar nga aksesi në sistemin MEMEX është kryer për herë të parë nga Drejtoria e Analizimit të Informacionit Kriminal vlerësimi mbi rrezikun e aktivitetit të grupeve kriminale për 2008 dhe për 2009. 

Lufta kundër korrupsionit është përqëndruar si në parandalimin e tij nëpërmjet masave rregullatore, si shërbimet one-stop-shop, shërbimet on-line, etj, ashtu edhe në bashkëpunimin ndërmjet agjencive për identifikimin, kapjen dhe dënimin e të gjitha akteve korruptive. 

Vazhdon zbatimi i strategjisë dhe plan-veprimit të integruar anti-korrupsion. Gjatë periudhës nëntor 2009-janar 2010 janë identifikuar 35 vepra penale që kanë të bëjnë me korrupsionin dhe shpërdorimin e detyrës me 59 autorë, nga të cilët 26 janë arrestuar, 31 janë në ndjekje penale në gjendje të lirë dhe 2 në kërkim. 

Më datë 15.12.2009, filloi në Tiranë zbatimi i projektit të përbashkët 3 vjeçar të ndihmës teknike të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për të mbështetur qeverinë shqiptare në zbatimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Parandalimin dhe Luftën kundër Korrupsionit dhe për Qeverisje Transparente. 

Me një fond prej 2 milionë e 130 mijë euro, bashkëfinancim i Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës, projekti është një nga 24 projektet prioritare të qeverisë shqiptare në kuadrin e Instrumentit për Asistencën e Para-anëtarësimit 2008 (IPA). 

Sa i përket rekomandimeve të grupit GRECO, nga 13 rekomandime, 11 janë plotësuar, dhe dy të tjerat janë duke u ndjekur me prioritet.

Në kuadër të bashkëpunimit gjyqësor, miratimi në dhjetor i Ligjit për bashkëpunimin gjyqësor me autoritetet e huaja në çështjet penale dhe fillimi i negociatave për nënshkrimin e marrëveshjes me EUROJUST për bashkëpunimin gjyqësor, gjatë këtij viti pritet të sjellin gjithashtu një përmasë të re bashkëpunimi ndërkombëtar me partnerët tanë.

Është duke u zbatuar me rigorozitet strategjia kombëtare për luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe fëmijëve sipas planveprimeve përkatëse tashmë të miratuara. Janë një sërë masash të ndërmarra në këtë kuadër, të cilat kanë çuar në heqjen nga lista të Shqipërisë si vend tranzit për trafikimin e qenieve njerëzore, dhe në menaxhimin më të kujdesshëm të këtij fenomeni në vend.

Gjatë 2009 ka vazhduar puna e agjencive të zbatimit të ligjit për hetimin e akteve kriminale të trafikimit dhe ndjekjen penale të personave përgjegjës për kryerjen e këtyre krimeve. Janë organizuar 3 operacione të policisë kundër trafikimit të grave dhe 8 operacione kundër përdorimit për prostitucion, ushtrimit të prostitucionit dhe posedimit të lokaleve për prostitucion, gjatë të cilëve janë arrestuar 29 persona. 

Janë organizuar operacione kundër lypjes në Qarkun e Tiranës dhe nga dhjetori 2009 është duke u zbatuar nga policia, plani operativ kundër lypjes dhe shfrytëzimit të fëmijëve.

Gjatë 3 muajve të fundit të 2009 ka pasur përmirësime të kuadrit ligjor në këtë drejtim, veçanërisht, përsa i përket masave në drejtim të mbrojtjes për viktimat e trafikimit.

Kalimi së fundmi në Këshill të Ministrave i projekt-ligjit “Për ndihmën dhe shërbimet shoqërore” (27 janar 2010) krijon mundësitë për përmirësimin e ndihmës financiare që viktimat e trafikimit do të përfitojnë gjatë dhe pas largimit nga institucionet e asistencës sociale deri në punësimin e tyre.

Gjithashtu, ligji i ri për parandalimin dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikimin nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë parashikon krijimin e një fondi të veçantë për parandalimin e kriminalitetit, që do shërbejë për të rritur shërbimet për viktimat dhe kompensimin e tyre. 

Ka pasur një rritje të fondeve për qendrën kombëtare të pritjes në 2010 me 24% krahasuar me 2009(25.000 euro). Gjatë 2009, 82 viktima të trafikimit janë riintegruar dhe 38 janë trajnuar profesionalisht, pa pagesë nga Zyrat rajonale të punës. Janë ndërtuar njësi për mbrojtjen e fëmijëve në nivel bashkiak,të cilat janë përgjegjëse për identifikimin, mbrojtjen, ndihmën dhe integrimin e kësaj kategorie të fëmijëve. Numri i fëmijëve të trajtuar në këto qendra në Tiranë, Korçë Elbasan, Berat arrin në 1394. 

Komitetet rajonale anti-trafik kanë vazhduar në mënyrë sistematike mbledhjet e tyre në komunitetet ku ato veprojnë për të diskutuar raste konkrete të shfrytëzimit ose për të asistuar persona në nevojë. Në bashkëpunim me OSBE-në janë organizuar trajnime të anëtarëve të këtyre Komiteteve në 12 qarqe ku numri i të trajnuarve rezulton në 300.

Gjithashtu, vazhdon marrja e masave për parandalimin e këtij fenomeni nëpërmjet organizmit të fushatave ndërgjegjësuese, edukimit, punësimit, regjistrimit dhe ndërtimit të një sistemi për të parandaluar punën e fëmijëve.

Gjatë vitit 2009 janë trajnuar 270 personel policor të niveleve dhe strukturave të ndryshme, 200 gjyqtarë, prokurorë dhe oficerë të policisë gjyqësore.

Është duke u punuar në drejtim të përmirësimit të procedurave të raportimit për identifikimin e rasteve të trafikimit. Funksionimi dhe menaxhimi i bazës së të dhënave për viktimat e trafikimit do të shërbejë për të patur një vizion më të qartë lidhur me situatën e trafikimit në Shqipëri dhe identifikimin e formave të shfrytëzimit të viktimave të trafikimit. Për 2009, janë identifikuar, referuar dhe kanë marrë ndihmë (në qendra apo pranë familjes) 94 viktima të trafikimit, nga të cilit 22 fëmijë (17 femra dhe 5 meshkuj) dhe 72 të rritur.

4) Marrëdhëniet me jashtë dhe të drejtat themelore

Dy detyrimet e mbetura nga ky bllok përfshinin angazhimin tonë në kuadër të Dekadës së Romëve si dhe ligjin e ri për diskriminimin. Për të parën, tashmë janë adoptuar si strategjia kombëtare ashtu edhe plan veprimi, dhe ky është një projekt afatgjatë. Ndërsa ligji për diskriminimin pritet të miratohet së shpejti në Kuvend. Edhe ky bllok konsiderohet pothuajse i mbyllur nga ne. 

Në përmbyllje të përgjigjes sime, do të doja shkurtimisht të trajtoja dinamikën e dialogut me strukturat e BE, Komisionin, Këshillin dhe Parlamentin Evropian; si dhe të shprehja vlerësimet e mia pozitive për mbështetjen e fortë që secili nga vendet anëtare ka dhënë në procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë.

Kështu, Ministria e Punëve të Jashtme, si institucioni që koordinon të gjithë procesin e liberalizimit të vizave, ka qenë në kontakt konstant me të gjitha strukturat e BE për të marrë çdo vlerësim dhe rekomandim të tyre, si dhe duke i përcjellë të gjitha këto detyrime pranë institucioneve që merren me zbatimin konkret të tyre. Ne jemi në monitorim të plotë të procesit dhe në bashkëveprim interaktiv për të siguruar që ky proces të finalizohet së shpejti me sukses. Ne kemi paraqitur një seri raportimesh me shkrim pranë Komisionit Evropian, si dhe kemi zhvilluar takimet e dialogut të drejtpërdrejtë duke përcjellë me vërtetësi, seriozitet dhe në cilësinë e duhur të gjitha rezultatet e përmbushjes së detyrimeve të udhërrëfyesit. 

Të njëjtën qasje kemi patur dhe me vendet e Bashkimit Evropian, të cilat kanë ndjekur po ashtu hap pas hapi këtë proces, duke shkëmbyer vizita të ndërsjella me qëllim njohjen sa më të thellë dhe realiste të arritjeve tona.

Gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi patur mbështetjen, përkrahjen dhe inkurajimin e vazhdueshëm si të strukturave komunitare ashtu edhe të vendeve anëtare. Po përmend vetëm disa nga momentet më të rëndësishme të kësaj mbështetjeje të fuqishme që gëzon Shqipëria tek partnerët e saj:

Miratimi me shumicë dërmuese në Parlamentin evropian më 12 nëntor 2009 i rezolutës “Fajon”, si dhe deklarata politike që iu bashkëngjit atij, ku Parlamenti Evropian dhe Këshilli, angazhohen për një trajtim urgjent të propozimit për liberalizimin e vizave me Shqipërinë, menjëherë sapo Komisioni të vlerësojë se ne kemi përmbushur detyrimet e mbetura nga udhërrëfyesi, përbëjnë mesazhe të qarta politike të këtyre institucioneve në mbështetje të këtij procesi. Njëkohësisht, kjo dëshmon dhe përkrahjen e gjerë dhe solide të Shqipërisë nga vendet anëtare të përfaqësuara në Këshill dhe qytetarët e BE-së, të shprehur në votën e deputetëve të zgjedhur rishtazi të PE-së. 

Mesazhe të fuqishme politike në drejtim të përmbylljes brenda afateve të përcaktuara të këtij procesi kanë vijuar nga përfaqësues të lartë të vendeve anëtare.

Në mënyrë të veçantë, qëndrimi përkrahës i vendeve tona fqinje, anëtare të BE për përshpejtimin e këtij procesi dhe përmbylljen e tij deri në mesin e vitit 2010, përforcojnë bindjen dhe angazhimin tonë në drejtim të plotësimit të të gjitha kritereve të Udhërrëfyesit, si i vetmi kusht për për përfundimin me sukses të këtij procesi.

Përmendim këtu mbështetjen e fuqishme të ofruar nga Ministri i Brendshëm italian Maroni, gjatë vizitës së tij në Shqipëri, letrën e përbashkët të Ministrit të jashtëm italian Frattini dhe atij slloven, Zbogar drejtuar presidencës suedeze të (atëhershme) Unionit për trajtimin me prioritet të kësaj çështjeje nga Komisioni, si dhe qëndrimin mbështetës të Austrisë dhe Greqisë së fundmi, në letrën e përbashkët të Ministrit federal të Austrisë për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, Michael Spindelegger dhe Ministrit alternate të Punëve të Jashtme grek Dimitris Droutsas drejtuar Përfaqësueses së Lartë të BE për politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Catherine Ashton, për përshpejtimin dhe përfundimin e procesit brenda 2010. 

Prandaj, me kënaqësi konstatoj se përparimi i Shqipërisë në këtë proces është i dukshëm, konkret, i qartë dhe i gjithëpranuar. Ne do të vazhdojmë të ruajmë ritmet e angazhimit tonë deri në përmbylljen e plotë të tij, në liberalizimin e vizave me BE.

Çfarë mbetet akoma për t’u bërë deri në finalizimin e procesit dhe në terma praktikë çfarë përfitimesh do të sjellë liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë?

Tashmë jemi në fazën finale të procesit të liberalizimit të vizave e cila në ditët e ardhshme do të vijojë me zhvillimin e dy misioneve të vëzhgimit për bllokun 2 (kufijtë, migracioni) në datat 22-25 shkurt dhe bllokun 3 (siguria, lufta kundër krimit të organizuar, trafiqeve, antikorrupsioni) në datat 8-12 shkurt 2010.

Po kështu ne jemi duke punuar për vazhdimin e fushatës sensibilizuese për liberalizimin e vizave, për çfarë nënkupton ky proces dhe çfarë përfitimesh sjell ai për qytetarët shqiptarë, çfarë do të duhet të dinë qytetarët shqiptarë përpara se të udhëtojnë jashtë vendit, etj. Në këtë frymë, ne e konsiderojmë shumë të rëndësishëm edhe bashkëpunimin me të gjithë aktorët e tjerë të shoqërisë shqiptare, në mënyrë që ky proces historik të mbyllet me sukses. 

Padyshim, shembja e “murit shengen” për shumë shqiptarë do të shënojë një çlirim të madh nga një “ngarkesë psikologjike” që ka mbajtur peng ëndrrën e disa brezave për të lëvizur lirshëm në Europë, si dhe do t’u jepte një të drejtë të merituar, ashtu siç e gëzojnë qytetarët europianë.  

Kështu që, në fund të fundit unë mendoj se “listën më të plotë” të përfitimeve, zhvillimeve dhe energjive pozitive që çlirohen nga liberalizimi i vizave më mirë se kushdo do ta bënte qytetari që deri dje me ankth priste me orë dhe ditë të tëra për marrjen e një vize për të takuar të afërmit e tij, (edhe këtë nëse e merrte), dhe nesër do të mund të lëvizë lirshëm jo vetëm për të shuar mallin me to por edhe për të shijuar vlerat turistike dhe kulturore europiane.

FUND

Komente
Shto komentin tend
+/-
Shkruaj nje koment
Emri:
Email: (jo i detyruar)
 
Titulli:
 
Ju lutemi shkruani kodin anti-spam qe shihni ne imazh

3.25 Copyright (C) 2007 Alain Georgette / Copyright (C) 2006 Frantisek Hliva. All rights reserved."