Bruksel, 22 korrik, NOA – Bashkimi Evropian e
përshëndet vendimin jo obligues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas
të cilit, pavarësia e Kosovës nga Serbia, në vitin 2008, nuk paraqet shkelje të
së drejtës ndërkombëtare.
Ky ka qenë reagimi i Brukselit zyrtar lidhur me përfundimin e gjykimit të ligjshmërisë së pavarësisë së Kosovës në Hagë, kërkesë kjo e bërë nga ana e Serbisë ndaj saj.
“Bashkimi Evropian është i gatshëm për ta
ndihmuar Serbinë dhe Kosovën, për dialog, për t’i shtuar mundësitë e tyre për
anëtarësim në BE”, - tha lidhur me një fakt të tillë, shefja e politikës së
jashtme e Bashkimit Evropian, Ketrin Eshton.
Sipas saj, Bashkimi Evropian është i gatshëm ta lehtësojë procesin e dialogut ndërmjet Prishtinës e Beogradit, dhe se ky dialog do të promovonte bashkëpunim, do të arrinte progres në rrugën evropiane dhe do ta përmirësonte jetën e njerëzve.
Ndërkaq, pak më parë kanë qenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët e kanë ftuar Serbinë që të reagonte ndaj vendimit të marrë nga Gjykata Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilit nuk ka më vend për dilema apo kritika ndaj vendimit të marrë 2 vjet më parë për shpalljen e pavarësisë së Kosovës.
n.e/NOA
| Komente |
|

