Bruksel, 29 Korrik, NOA – Gjatë vizitës në
Mbretërinë e Belgjikës, kryeministri Berisha u prit sot edhe nga presidenti i
Dhomës së Përfaqësuesve, André Flahaut dhe zv/presidenti i Senatit, Armand De
Decker.
Në këtë takim, kryeministri vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen që Belgjika i ka dhënë vazhdimisht Shqipërisë si për anëtarësimin në NATO, ashtu edhe në rrugën e saj drejt integrimit në Bashkimin Evropian, një vendim ky shumë i rëndësishëm për shqiptarët.
Ai u shpreh se 96 përqind e shqiptarëve mbështesin integrimin në Bashkimin Evropian dhe ne do të punojmë për realizuar këtë aspiratë të shqiptarëve.
Në këtë kontekst, kryeministri Berisha u shpreh se qeveria shqiptare është e angazhuar në kryerjen e reformave, edhe të atyre të guximshmeve siç është lufta me tolerancë zero kundër krimit të organizuar, konsolidimit të shtetit ligjor, që e kanë bërë Shqipërinë ndër vendet më të sigurta në Evropë.
Ndërsa lidhur me reformat në fushën ekonomike, kryeministri Berisha u shpreh se Shqipëria ka marrë së fundmi nga OKB-ja çmimin e dytë si vendi i vetëm në botë me prokurime tërësisht elektronike.
“Falë reformave të qeverisë, - theksoi kryeministri, - edhe në kulmin e krizës botërore financiare, Shqipëria vazhdoi të shënojë rritje pozitive ekonomike”.
Përsa u përket reformave politike, në këtë takim u theksua vlerësimi që institucionet ndërkombëtare i bënë zgjedhjeve të përgjithshme të 28 qershorit 2009, si më të mirat e zhvilluara ndonjëherë në Shqipëri dhe që plotësuan standardet kryesore të OSBE-së.
Pas takimit, kryeministri Berisha nënshkroi në librin e artë të parlamentit.
n.e/NOA
| Komente |
|

