Uashington, 26 korrik, NOA – “Vendimi i Gjykatës
Ndërkombëtare të Drejtësisë do të bëjë që të rritet në mënyrë dramatike numri i
vendeve që do ta njohin Kosovën”, - thotë Mark Ellis, drejtor ekzekutiv në
Asociacionin Ndërkombëtar të Avokatisë (IBA).
“Mendoj se një ditë, Serbia do ta njohë
Kosovën. Nëse jo tash, shpresoj në të ardhmen. Por, nuk është asgjë përcaktuese
për Kosovën nëse Serbia nuk e njeh”.
Zoti Ellis, Gjykata Ndërkombëtare e
Drejtësisë vendosi se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur ligjin ndërkombëtar.
Për një shtet të ri si Kosova, çka nënkupton ky mendim?
Mendoj se opinioni është jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën në një
fushë shumë specifike - tani do të shihni një rritje dramatike të numrit të
shteteve që do ta njohin pavarësinë e Kosovës, pasi që nuk ka më pengesë
ligjore për këto shtete që ta njohin Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur.
Kjo është më e rëndësishmja. Megjithatë, pa marrë parasysh se cili do të ishte
vendimi, Kosova do të vazhdonte në rrugën e saj si shtet i pavarur, por vendimi
e bën më të favorshëm për shtetet tjera që ta njohin pavarësinë.
Shumë thonë se tashmë debati për
statusin final ka përfunduar tërësisht. Por, Serbia ka thënë se nuk do ta njohë
Kosovën kurrë. A e shihni këtë qëndrim serb si pengesë për Kosovën?
Jo, aspak. Është një qëndrim fatkeq, por jo që ta pengojë Kosovën të lëvizë
përpara si shtet i pavarur. Mendoj se një ditë, Serbia do ta njohë Kosovën.
Nëse jo tash, shpresoj në të ardhmen. Por, nuk është asgjë përcaktuese për
Kosovën nëse Serbia nuk e njeh.
Fakt është se një numër domethënës i shteteve të reja do ta njohin Kosovën dhe
ky është drejtimi në të cilin duhet të lëvizë Kosova.
Serbia ka thënë se tash do të luftojë në
nivel politik në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Nëse do të ketë një
propjekt-rezolutë, cilat janë gjasat që ajo të miratohet, apo a do të ketë
ndikim negativ për Kosovën?
Nuk besoj se do të ketë ndikim negativ. Por, mendoj se nuk ka shans që
Asambleja e Përgjithshme në një mënyrë ta kthejë prapa vendimin e GJND-së.
GJND-ja është gjykatë botërore. Është gjykata kryesore e OKB-së.
Asambleja e Përgjithshme e ka kërkuar mendimin këshillëdhënës. Mendimi është dhënë
dhe Asambleja e Përgjithshme nuk do ta injorojë atë vendim apo, në një formë,
nuk do t’i kundërvihet atij vendimi.
Unë personalisht mendoj se tashmë debati ka përfunduar dhe bashkësia
ndërkombëtare duhet të lëvizë përpara në përkrahjen e Kosovës si shtet i
pavarur.
Zoti Ellis, ju jeni ekspert i së drejtës
ndërkombëtare. Bazuar në praktikat e mëhershme, për një shtet të ri si Kosova,
sa gjatë duhet pritur që ai të jetë pjesë e mekanizmave botërorë, siç është
OKB-ja?
Unë mendoj se tashmë është pjesë e komunitetit ndëkrombëtar, është njohur
nga 69 shtete dhe ai numër në mënyrë dramatike do të rritet. Do të vazhdojë të
gjejë bashkëpunim dhe përkrahje nga institucionet ndërkombëtare.
Mendoj se ky vendim i GJND-së përfundon debatin për Kosovën si shtet i pavarur.
Mund të kalojë pak kohë për Kosovën që të arrijë të njëjtin nivel si shtetet
tjera në komunitetin ndërkombëtar, por fakt është se Kosova është në atë rrugë
dhe kjo nuk do të ndryshojë.
Ndërsa, sa u përket çështjeve të
brendshme, çfarë duhet të bëjnë institucionet kosovare pas këtij vendimi të
rëndësishëm të GJND-së?
Mendoj se më e rëndësishmja për Kosovën është që të vazhdojë të forcojë
sistemin dhe strukturën e saj demokratike, të lëvizë kah betonimi i sundimit të
ligjit dhe, më e rëndësishmja, duhet të sigurojë se të drejtat e minoriteteve,
veçanërisht të serbëve, që jetojnë në Kosovë, të jenë të mbrojtura dhe të
sillen, për aq sa ata duan, në sistemin shtetëror të Kosovës.
E çka mund t’i ndihmojë Kosovës që të
përparojë në planin ndërkombëtar?
Është me rëndësi që komuniteti ndërkombëtar të vazhdojë ta përqafojë
Kosovën, ta mbështesë atë.
Nëse bashkësia ndërkombëtare e sheh Kosovën se po i përmbahet rrugës së
reformave demokratike, se po mbështet sundimin e ligjit, po mbron të drejtat e
minoriteteve, mendoj se këto janë gjërat që Kosova duhet t’i bëjë me qëllim që
të vazhdojë të sigurojë mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.
Shumë janë befasuar me mendimin e
GJND-së, meqë nuk kanë pritur që ai të jetë kaq i drejtpërdrejtë. Çfarë prisnit
ju?
Unë nuk u befasova, sepse kam parë faktet se pse Kosova vendosi që në
mënyrë unilaterale të shpallë pavarësinë: për shkak të vrasjeve që u bënë atje,
për shkak se Kosova mbijetoi në kohë shumë të vështira dhe për faktin se unë
gjithmonë e kam ndjerë se Kosova kishte të drejtë legale për vetëvendosje dhe
të shpallë pavarësinë - gjë që edhe e bëri.
Mendoj se opinioni ishte i drejtpërdrejtë, por i duhur, dhe tash Kosova ka
përgjegjësinë që të vazhdojë në rrugën e saj drejt reformave dhe të sigurohet
se e ka mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar.
Radio
“Europa e Lirë”
| Komente |
|

