Transmetuar më 05-02-2012, 12:26

Shkup, 5 shkurt – Nga katër milionë euro, sa ka në dispozicion shteti maqedonas për të mbështetur prodhimet kinematografike, vetëm 50 mijë euro ka ndarë për produksionet shqiptare. Ndarja e pak më shumë se një për qind e totalit të buxhetit të filmit ka ngjallur reagime të producentëve dhe regjisorëve shqiptarë në Maqedoni. Komisioni që ka shqyrtuar kërkesat e regjisorëve në Maqedoni, të drejtuara në adresë të “Fondit të Filmit Maqedonas”, nuk ka vlerësuar pozitivisht asnjë skenarë për film të metrazhit të gjatë. Vetëm dy filma të metrazhit të shkurtër të shqiptarëve ka vendosur t’i subvencionojë “Fondi…”, për të cilët ka ndarë 50 mijë euro.

Nga Fondi i Filmit i Maqedonisë pa u subvencionuar ka mbetur edhe filmi “Dashuria e Talatit me Fitneten”, i bazuar në romanin e Sami Frashërit, të cilin e kishte kthyer në skenarë filmi aktori Mejdi Alidemi, e për të cilin ishte thënë se është i vetmi që i pranon kriteret për t’u futur në garë.

Produksioni “Start”, që ka konkurruar me këtë film, në adresë të medieve ka nisur një komunikatë, ku ka reaguar ndaj mospërfilljes së projekteve shqiptare. Për mediet në Maqedoni, producentët e kanë kthyer këtë në çështje politike. Ndërkaq, aktori i njohur nga Maqedonia, Bajrush Mjaku, deklaroi se “shteti maqedonas neglizhon kulturën shqiptare”.

NOA