Transmetuar më 22-12-2016, 12:01
Publicitet

Tiranë, 22 dhjetor 2016, NOA.al- I sapo shpalluri kardinal nga Papa Françesku, Ernest Troshani mbajti një fjalë përshëndetëse në seancën e sotme parlamentare.

Ai kërkoi që të mos harrojnë popullin, por t’i kthejnë sytë drejt tij dhe drejt nevojave që ka.

“Kujtoni se jeni me mision shumë të lartë e mos harroni nevojat e popullit. Bëni që politika të jetë shërbim e jo përfitim dhe vetëm atëherë do të keni respektin e popullit Është një nder i veçantë për mua që të flas para jush. Kam ardhur këtu për të falënderuar Atdheun. Po hyjmë në vitin 2017, ndaj ne lutemi për paqe. Të lutemi për paqe e për vëllazëri mes nesh. Ju politikanë përpiquni që të mbroni popullin, bëni që politika të jetë shërbim dhe jo përfitim. Zoti bekoftë të gjithë shqiptarët”, u shpreh kardinal Troshani. 

Fjala e plotë e kardinalit Troshani

Asht nji nder i veçantë sot për mue me folë prej kësaj foltoreje, dhe me ju drejtue ju, përfaqësuesve të popullit shqiptar.

Ashtu siç asht nji nder i pashoq me përfaqësue dhe me folë në emën të Kishës katolike shqiptare.

Nuk kam ardhë këtu me ju mësue asgja të re, por kam ardhë ma së parit me falenderue atdheun e të gjithë popullin pse mbas nji rrebeshi prej gadi pesë dekadash që i shkaktoi vuejtje e mjerime Kishës katolike, ma në fund gjeti forcën e duhun shpirtnore me ua njohtë vlerat bijve e bijave të tija që për me ruejt lirinë e ndërgjegjes dhe lirinë e besimit nuk i ranë mohit Zotit dhe nuk e braktisën popullin e tij.

Jam i fundit dëshmitar i nji brezi klerikësh katolike që vuejtën dhe u persekutuen. Tue më ba kardinal, Papa Françesku nuk më nderoi veç mue, por nderoi gjithë Kishën katolike shqiptare e mundësisht gjithë popullin shqiptarë.

Ne, kemi punue me të gjitha forcat për ngritjen morale dhe kulturale të shqiptarëve, e edhe atëherë kur s’kemi pasë mjete tjera, kemi gjetë fjalë ngushëlluese dhe s’i kemi lanë vetëm ma të vogjlit dhe ma të vorfnit. I kemi shërbye këtij populli dhe kemi dëshmue me gjakun tonë se i përkasin atij dhe nuk ligshtohena edhe në orën ma të vështirë.

Ky popull ka nda kashatën e gojës me ne, na ka ndihmue aq sa ka mujtë dhe na ka qindrue afër.

Të dashtun vëllezën e motra,

Po ju them se ne si Kishë katolike do të jena si gjithmonë në parimin e bashkëpunimin me gjithë ato forca politike dhe shoqnore që kanë me punue për zhvillimin dhe përparimin e Shqipnisë demokratike dhe sovrane.

Do të mbështesim gjithmonë zhvillimin e kulturës së vërtetë dhe s’do të reshtim tue punue për me i përkit familjes së përbashkët europiane, vlerat ma të kullueta të së cilës kemi kontribue edhe ne me i formue ndër shekuj.

Jam këtu me ju kujtue përvujtnisht ju, përfaqësuesve të këtij populli:

Kujtojuni orë e çast se jeni këtu me nji mision të naltë, prandaj mos i harroni nevojat e popullit, mos e leni mbas doret asnji çast popullin tuej, e mos lejoni që përplasjet tueja politike, edhe atëherë kur janë të arsyeshme, të kenë në qendër luftën për pushtet, por vetëm problemet e popullit shqiptar.

Jemi nji komb ku jetojnë vllaznisht besime të ndryshme fetare, të barabarta para ligjit e të gjitha me detyrën e shenjtë me i shërbye Zotit dhe idealeve tona kombtare. Nuk due me folë për tolerancë, por për vllaznim, që asht shumë ma tepër.

Ta kultivojmë pra vllazninë ndërfetare, besimi i vërtetë në Zotin dhe liria na ndihmojnë me gjallnue ma fort vlerat e solidaritetit dhe të ndihmës ndaj gjithë atyne që shoqnia i ka lanë mënjanë.

Krishti, tue marrë shëmbëlltyrën njerzore ka lindë në nji votër të vorfën prej Marisë dhe shpirtit shenjtë. Kujdesin ma të madh ai e ka pasë për të vobektit, për të sëmurët, për ata që vuejnë padrejtësisht dhe për ata që pendohen dhe duen me ndërrue rrjedhën e jetës së tyne.

Mos t’i lamë mbas doret të gjithë këta, pse shkalla e qytetnisë së nji kombi matet edhe prej kujdesit që ai tregon ndaj këtyne kategorive.

Për ju un kam vetëm nji porosi atnore: Krishti ka shtru parimin hyjnorë të pavdekësisë së shpirtit: Çfarë të vlen o njeri ? Po fitove edhe të gjitha pasurit e botës në qoftëse humb shpirtin. Pra të përpiqemi ti shërbejmë me të gjitha forcat shërbimit hyjnorë që të fitojmë lumturinë e parrizit.

Po hyjmë në vitin 2017 viti i triumfit të zemrës së papërlyer të Zojës së bekuar, nanës së Krishtit që na fton të lutemi për paqen, vëllazërim, dashuri e lumturi.

Ju të nderuar deputetë të përpiqeni që të gjithë së bashku, çdo njeri në Shqipëri duke shikuar në sytë tuaj të shohë begatinë, drejtësinë, bujarinë e bekimin hyjnorë.

Qëndroni ma afër problemeve të popullit shqiptar, bani që politika të jetë shërbim dhe jo përfitim, e vetëm atëherë keni me pasë respektin e thellë të njerëzve të thjeshtë që kanë besue tek ju.

Zoti e bekoftë Shqipninë dhe shqiptarët, Zoti bekoftë familjet tueja!/a.y/noa.al