Transmetuar më 15-06-2017, 09:43

Goditet një tjetër tentativë e trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike në Portin e Durrësit. Sipas informacioneve policore një sasi prej më shumë se 200 kg kanabis është gjetur dhe sekuestruar në një autobus në portin e Durrësit. Jetmir Muçaliaj, 43 vjeç banues në Tiranë, shoferi i mjetit, është vënë në pranga, ndërsa pronari i autobusit, E.S. 28 vjeç, është shpallur në kërkim.

Si u zbulua droga

Më datë 14.06.2017, gjatë kontrollit të ushtruar në Pikën e Kalimit Kufitar Port Durrës, në mjetin autobuz, tip Skania me drejtues shtetasin Jetmir Muçaliaj, pas një analize risku të hollësishme dhe verifikimeve të tjera speciale nga Specialistet e Kontrollit u konkludua se në brendësi të tij dyshohej të kishte lëndë narkotike. Ata vendosën për verifikim më të hollësishëm dhe kthyen autobusin për kontroll në Skaner.

Në përfundim u konkludua një sasi lënde narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa. Në pjesën e rrotave të pasme të autobusit ishte përshtatur një vend ku gjatë kontrollit u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 180 pako me peshë rreth 207 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit kanabis sativa.

Specialistët dhe grupi hetimor vijojnë punën për kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë rrjet kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale "Trafikimi i lëndëve narkotike" në bashkëpunim, e mbetur në tentativë. /b.l/noa.al/