Transmetuar më 03-07-2017, 13:59
Publicitet

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi mori pjesë sot në takimin e përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe përfaqësuesën e lartë e Punëve të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë, Federica Mogherini, në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 Pas, takimit, Thaçi tha se takimi i udhëhequr nga Mogherini dhe Presidentin e Serbisë, u fokusua në domosdoshmërinë e hapjes së një faze të re të dialogut, që do të çonin drejt një normalizimi të plotë dhe pajtimi mes dy shteteve dhe popujve.

 “Ishte konkludim i përbashkët se vetëm normalizimi i raporteve të plota ndërshtetërore, vetëm pajtimi në mes vendeve dhe popujve tanë paraqet më tepër paqe, stabilitet për të dy vendet, për rajonin, të ardhmen evropiane më të sigurt dhe të shpejtë të vendeve tona”, deklaroi Thaçi.

Ai tha se Bashkimi Europian do të udhëheqë këtë proces suksesshëm, një proces intensiv, dinamik të kësaj faze të re me qëllim dhe vizion të qartë, por në të njëjtën kohë edhe afatizime kohore.

“Ne jemi dakorduar që ky proces të përfundojë sa më i shpejtë, që të jetë sa më shpejtë i arritshëm, të finalizohet dhe implementohet sa më shpejt”, ka shtuar ai.

Presidenti tha se ky proces nuk do të jetë garë, por do të jetë një proces i standardeve, i vlerave të cilat duhet të ngadhënjejnë në të mirën e dy vendeve dhe popujve tanë, dhe këto vlera janë vlerat evropiane.

“Pra, do të jetë një proces i bazuar mbi standardet dhe vlerat evropiane, dhe interesin e dy vendeve”, deklaroi Presidenti.

Ai u shpreh i bindur dhe besimplotë se institucionet e Kosovës, spektri politik kosovar, shoqëria civile, mediat, personalitet me ndikim në opinionin publik, ekipet e ekspertëve do të japin kontributin e tyre të çmuar për këtë proces të rëndësishëm për të ardhmen europiane të Kosovës.

Presidenti Thaçi më parë zhvilloi një takim bilateral me përfaqësuesen e lartë të Punëve të Jashtme dhe Politikës së Sigurisë, Federica Mogherini.

 Në këtë takim, Presidenti nënvizoi domosdoshmërinë e hapave konkret europian për Kosovën, përmbylljen e procesit të liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, duke ndalur izolimin e padrejtë që po i bëhet qytetarëve të Kosovës.