Transmetuar më 30-07-2017, 15:30
Publicitet

Bashkëjetesa dhe raportet e mira të Shqiptarëve me Serbet që jetojnë në Zvicër duhet të shërbejnë si model për Kosovën dhe Serbinë, ka thënë Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një intervistë për të përditshmen zvicerane “Blick”.

Kreu i shtetit serb, ka thënë se ai do të hapë një kaptinë të re për Serbinë, që do të thotë të gjejë një zgjidhje për problemin me Kosovën.

I pyetur për domethënien e fjalës së tij në inaugurimin si President, ku Vuçiç kishte thënë se Serbia duhet të shkëputet nga mitet e saj, ai tha se dëshiron një Serbi të re dhe të reformuar.

“Është lehtë të thuhet, shkoni e luftoni në Kosovë! Mirëpo kjo mënyrë e të menduarit na ka dërguar gjithmonë në luftë. Unë dua një rrugë të re për Serbinë. Dua që të hap diskutime të drejta dhe korrekte për zgjidhjen e konfliktit të Kosovës. Edhe nëse serbët nuk janë ende gati unë nuk do të dorëzohem. Ky debat do të ketë efekte shëruese për të gjithë ne edhe nëse arrijmë apo jo rezultat të mirë”, ka thënë Vuçiç për Blick.

Për Presidentin, ky dialog nuk do të kishte rezultat të mirë nëse të dy palët nuk janë të gatshme që të humbasin diçka.

“Nëse të dy palët nuk janë të gatshme të humbasin diçka, atëherë nuk do të ketë rezultat të mirë dhe konflikti do të zgjas përgjithmonë. Kjo do të dëmtonte të dy palët. Unë besoj se jam personi i duhur për këtë dialog. A e dini pse? Kam qenë deputeti më i ri, ministri dhe kryeministri më i ri,  dhe tani jam presidenti më i ri. Nuk kam më ambicie personale”, ka thënë ai.

I pyetur se nga çfarë janë në gjendje që të heqin dorë serbët për ta zgjidhur problemin e Kosovës, ai nuk ka pranuar që të flas publikisht.

“Jemi të gatshëm që të gjejmë një kompromis të mirë dhe të bëjmë progres. Eventualisht kjo çështje duhet të zgjidhet, dhe më mirë të bëhet tani sesa pas 100 vitesh”, ka thënë ai.

 

Loading...