Transmetuar më 15-08-2017, 13:33

VËZHGIM i NOA/

Nëse futesh në rrjetet sociale, pa kaluar ende pak sekonda lundrim në murin e Facebook-ut apo Instagram-it tënd, do të shfaqen një mori njoftimesh të sponsorizuara e mes tyre, foto e video amatore të njerëzve të ndryshëm. Që të gjithë, promovojnë ose më së paku vënë në dukje, ato që ata i quajnë resorte turistike në Shqipëri.

Sa i përket qytetarëve, një pjesë e tyre nuk janë të informuar se çdo të thotë resort dhe të jesh pjesë e një resorti pushimesh. Ca të tjerë, thjesht manipulohen nga reklamat dhe mbishkrimet resort që reklamojnë plot biznese turistike, duke besuar deri diku se po pushojnë në një resort të vërtetë.

Ndërsa qytetarët nuk kanë faj pse mashtrohen nga këto biznese, këta të fundit janë të vetëdijshëm se nuk posedojnë resorte, por thjesht godina banimi të përkohshëm, më së shumti pa kushte minimale për pushime të denja e njëkohësisht me çmime të kripura. E megjithatë, vazhdojnë të nxisin njerëzit të besojnë se po pushojnë në resorte.

Një vëzhgim i NOA evidentoi këto fakte dhe shumë të tjera, në komunikim me pushues të ndryshëm.

Në Durrës, duke nisur nga ish-plazhi Teuta pranë portit e duke vazhduar deri pas Shkëmbit të Kavajës, plot godina mbajnë mbishkrimet reklamuese “Resort”. Po ashtu dhe në jug, pak pasi hyn në Vlorë e deri në fund të Sarandës. Nëse hyn brenda tyre, gati te të gjitha gjen godina që vetëm arkitekturë dhe arredim të studiuar nuk ka. Përballesh me dhoma ku dhe çarçafë e peshqirë shpesh duhet t’i kesh me vete, të paguash shezlonët çdo ditë, e në plot raste, të mos konsumosh pije dhe ushqim tek to, pasi duhet të blesh me detyrim te bar-restoranti që këto godina kanë.

Ndërsa kur hedh sytë të shohësh infrastrukturën dhe pozicionimin e tyre, vë edhe më shumë duart në kokë: Godina ngjitur pas njëra-tjetrës, pa pikë studimi urbanistik, herë matanë rrugës e herë bash pranë detit, plot lagështirë te këta të fundit, rrugë pa rrugë, parkim si opsion “bingo”, etj.

Të gjitha këto, shtoji çmimet deri 180 euro nata për dhomë me mëngjes, të krijojnë një atmosferë jo fort ndjellëse për atë çka ofron dendur turizmi shqiptar.

***

Këto janë një pjesë kryesore e arsyeve, pse shumë shqiptarë, prej gati 15 vjetësh zgjedhin resortet e Turqisë, për të kaluar pushimet e tyre verore.

NOA foli me stafin e dy agjencive turistike në Tiranë dhe me disa klientë të tyre nga shtresa të ndryshme shoqërore, biznesmenë, persona VIP, familje me të ardhura të mesme, etj.

Ajo që e dëgjon thuajse njëzëri nga të gjithë, është dallimi që bëjnë mes resorteve në Antalya e atyre që vetëquhen në Shqipëri.

“Kam disa vite që shkoj në Antalya. Herë në Belek e herë në Kemer, sidomos kur hapen resorte të reja. Nuk di ç’të them më parë. Resorte thjesht të vërteta. Me hotel, mori apartamentesh e vilash, si pjesë e hapësirës disa hektarëshe që disponojnë, detin pranë, pishina ngado, bare dhe restorante, siguri për t’u pasur zili dhe shërbim që të bën të ndjehesh i përkëdhelur si mbret”, – thotë Elna, një grua 51-vjeçare e cila ka një biznes të vogël, dyqan shitje rrobash në Tiranë.

Ajo pohon se pavarësisht se e do vendin e saj, nuk mund t’i sakrifikojë më pushimet e verës, të vetmet që bën gjithë vitin. Elna tregon se Turqia, në varësi të fluksit ose jo të rusëve, luhat çmimet, që për resortet e mira, shkojnë jo më pak se 2 mijë euro çifti për një javë. “Ta pranojmë, duke lënë mënjanë pseudopatriotizmin që na mbyti nëpër Facebook: Në Shqipëri nuk ka shërbime, ore nuk ka resorte, lëri se çfarë lexon nëpër reklama. Kur të dalë një i tillë, sidomos andej nga perlat e jugut që shumë më tundojnë, eja dhe më pyetni a do të heq dorë nga Turqia edhe pse atje nuk paguajmë pak”. Kurse si shumë të tjerë që gëlojnë në Facebook, shton: “Nuk paguajmë pak jashtë vendit, por të garantoj unë e plot të tjerë se po t’i kemi kushtet në Shqipëri, sidomos nga jugu, harroje se i hipim avionit për Turqi”.

***

Problematikat që konstaton Elna dhe të tjerë që u përfshinë në vëzhgimin e NOA.al, janë pjesë e një fenomeni shqetësues, që ndikon shumë në të ardhmen e industrisë së turizmit, më e rëndësishmja dhe më fitimprurësja e mundshme për Shqipërinë.

Sepse turistët e sotëm, shqiptarë apo të huaj, janë më së pari klientët e nesërm dhe së dyti, përçues të nxitjes për afrimin e turistëve të tjerë.

Por nëse biznesi turistik vazhdon të jetë ky që përballemi, këta turistë që sot rendin të pushojnë në Shqipëri, nesër jo vetëm nuk do të vijnë më, por do të ndalin edhe plot të tjerë përreth tyre.

Kambana e alarmit, është dhe pohimi i kreu i Unionit të Operatorëve Turistikë, Rrahman Kasa, teksa evidenton të dhënat e përftuara nga pyetësorët që plotësojnë turistët e huaj pasi largohen nga pushimet në Shqipëri: Ai thotë se turistët që e kanë vizituar një herë vendin tonë, shumë pak rikthehen sërish. “Shumë pak, shumë pak. Ato kompani të huaja që i sjellin ata dhe që janë partnerët tanë, kanë në fakt një anketë, një pyetësor që ua japin klientëve, ku një ndër pyetjet që ata u bëjnë atyre është pikërisht “A do të ktheheni sërish atje?” dhe ata i përgjigjen “Jo”. Dhe motivi që japin rreth kësaj, është kryesisht ai “për hir të infrastrukturës”, – pohon me keqardhje z.Kasa.

***

Në këto kushte, lind pyetja, a do të ketë së afërmi, resorte të vërteta në bregdetin shqiptar?

NOA iu drejtua sërish operatorëve turistikë dhe pikave real estate. Një prej planeve që ata kishin në fokusin e tyre, ishte përfshirja në guidat turistike dhe shitjet e qiradhënien e një investimi që po realizohet në jug të vendit. Është fjala për Green Coast Luxury Resort” që po ndërtohet në Palasë, perla e bregdetit në Himarë.

“Po presim vitin 2018 që të përfundojë ndërtimi i “Green Coast”. Aty do ketë shumë apartamente e vila, nja dhjetë lloje të tilla, e po ashtu dhe një hotel. Në fakt ai po përparon shumë, e shohim që nga Llogaraja si po ecën dhe mot besojmë se ka për të afruar goxha njerëz”, – pohon Kozeta, agjente imobiliare në Tiranë.

Kurse shton: “Njerëzit po kujdesen shumë për pushimet e tyre. Nuk duan më pushime halli, por një apo dy javë në verë të shijojnë pushime çlodhëse e jo stresante. Ndaj besojmë se resorte si ky i Palasës, do të tërheqin turistët e huaj po e po, por edhe shqiptarët kudo jetojnë, që e kanë kuptuar se blerja e një apartamenti ose vile të dytë në bregdet nuk është më fobi, por standard i një jete më të mirë”.

NOA pyeti në “Green Coast” për të mësuar se si po shkojnë punimet atje. Klodiana Ajazi, drejtuese e Marketingut dhe e Shitjeve e “Green Coast Luxury Resort”, na shpjegon se resorti shtrihet në 20 hektarë buzë bregdetit të virgjër të Palasës në Himarë dhe se punimet po ecin në ritme të përshpejtuara. Ajo pohon se vitin e ardhshëm, në verën e 2018, resorti do të jetë i banuar nga rezidentët e parë të këtij resorti. Ajo tregon se në këtë resort, “kombinohet banimi nëpërmjet shitjes së apartamenteve dhe vilave, me turizmin nëpërmjet shërbimeve dhe hotelerisë”. Ky është i pari resorti i këtij lloji në Shqipëri. Investitorët ju kanë kushtuar një rëndësi të veçantë shërbimeve, jo vetëm që rezidentët të gjejnë atë çfarë ju duhet në 12 muaj por edhe për të afruar turistë gjatë gjithë vitit nga vende të ndryshme të botës.

Ajazi pohon se fokus i veçantë po i kushtohet mbrojtjes së mjedisit dhe infrastrukturës moderne, gjë e cila ndodh rrallë në ndërtimet në Shqipëri.

Edhe Qeveria shqiptare vë në dukje se po i kushton rëndësi të veçantë turizmit në jug nëpërmjet projekteve dhe planeve për zhvillim. Korrikun e kaluar, Komiteti i Investimeve Strategjike i dha këtij resorti, statusin e Investitorit strategjik me procedurë të veçantë për shkak të ndikimit pozitiv në zhvillimin e turizmit dhe ekonomisë jo vetëm në Riviere por edhe në Shqipëri.

Edhe Ajazi e quan Palasën si zgjedhje të një vendi strategjik. Por e rëndësishme për ‘Balfin’, investitorin e këtij resorti, është që të rritet niveli i turizmit duke u bërë më i denjë. “Organizimi i guidave turistike, sportet dhe menaxhimi cilësor i shërbimeve nga Green Coast do të ndikojnë në rritjen e konkurrencës dhe ndryshimin e mentalitetit në turizmin Shqiptar. Jugu jonë ka vende të mrekullueshme të cilat meritojnë t’ju krijohen kushte për t’u vizituar e ku mund të shijohen aventurat me parashutë, kanoe, ngjitje dhe ekskursione në mal, zhytje, etj.,” – pohon Ajazi.

Qëllim tjetër i rëndësishëm të cilin qeveria e ka në aspiratat e saj, por deri sot, nuk ia ka dalë, është turizmi i gjithë vitit. Ajazi thotë se nëpërmjet Green Coast Luxury Resort synohet pikërisht zgjatja e sezonit turistik me paketa dhe shërbime 8 për 12 muaj të vitit “ndryshe nga çfarë jemi mësuar të kemi, sezon vetëm në 2 muaj”.

Le të shpresojmë se vitin e ardhshëm, do të kemi kështu, më në fund, një resort të vërtetë në Shqipëri! /a.b/e.k/a.y/noa.al