Transmetuar më 13-09-2017, 08:13
Publicitet

Pas tri vitesh të kaluara në arrati, është arrestuar në Kosovë Kreshnik S., i dyshuar si njëri ndër udhëheqësit e portalit për distribuim ilegal të filmave, Kinox.to. Ndërsa ndodhet në arrati vëllai i Kreshnikut, Kastrioti, shkruajnë sot mediat gjermane dhe asutriake, të cilat i japin hapësirë të madhe këtij lajmi.

Kreshniku 24 vjeçar është arrestuar që në muajin qershor, në Prishtinë, ka bërë të ditur një zëdhënës i Prokurorisë së Përgjithshme të Dresdenit, Gjermani. Ai me këtë njoftim e ka konfirmuar lajmin e publikuar fillimisht në gazetën “Handelsblatt”.

Ndërkohë, kryeprokurori Oliver Moller ka njoftuar se në bashkëpunim me autoritetet kosovare tashmë janë duke u bërë përgatitjet për ekstradimin e personit të përmendur, transmeton albinfo.ch. “Hetimet do të vazhdojnë në Gjermani pasi ai të jetë ekstraduar këtu”, ka shtuar ai.

I arrestuari së bashku me vëllain e tij katër vite më të vjetër, ishte në arrati që nga tetori i vitit 2014. Atë kohë, njësitet speciale të policisë kishin bastisur shtëpinë e prindërve të dy vëllezërve S., në Lübeck, ku jetonin edhe ata, por nuk kishin mundur t`i gjenin.

Kreshniku dhe Kastrioti fajësohen se së bashku me persona të tjerë e kanë udhëhequr faqen Kinox.to, përmes së cilës kanë shpërndarë në serverë të tjerë përmbajtje të kopjuara ilegalisht si filma etj. Prokuroria i ngarkon ata, përveç për shkelje industriale të të drejtës së autorit edhe për mospagesë të tatimeve.