Transmetuar më 15-09-2017, 16:10

Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si të një rëndësie parësore dhe strategjike dhe bashkëpunimin në kuadër të NATO-s, përballë  sfidave të përbashkëta globale si lufta kundër terrorizmit, ekstremizmit të dhunshëm e qëndrueshmëria e sigurisë në rajon.

Kreu i Shtetit i shprehu mirënjohjen për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i ka dhënë Forcave tonë të Armatosura në procesin e tyre të transformimit dhe modernizimit duke nënvizuar edhe ndihmën e fundit me mjete speciale transporti të blinduara.

Meta shprehu gjithashtu mirënjohjen e sinqertë për mbështetjen e SHBA në realizimin e reformave të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, transformimin dhe rritjen e kapaciteteve operacionale dhe edukimin e Forcave të Armatosura, mbështetjen e institucioneve të inteligjencës, rolin përcaktues të SHBA-së në çlirimin e Kosovës dhe angazhimin e tyre në sigurinë dhe stabilitetin  afatgjatë të Ballkanit dhe mbështetjen kritike për anëtarësimin në NATO.

Nga ana e tij Gjeneral Dunford falenderoi Presidentin Meta për angazhimin dhe kontributin e Shqipërisë dhe Forcave të saj të Armatosura përkrah ushtrisë së SHBA-së nw Afganistan, Irak, dhe vende të tjera dhe vlerësoi përpjekjet e Shqipërisë për ngritjen e nivelit të partneritetit dhe të koordinimit strategjik Shqipëri-SHBA.

Bashkëbiseduesit ndanë opinionet mbi sfidat e reja të NATO-s, mbi rëndësinë e sigurisë kolektive dhe mbështetën angazhimin e tyre për vazhdimimësinë e angazhimit në përballjen me sukses të tyre, si në planin rajonal ashtu edhe atë global. /b.l/noa.al/