Transmetuar më 18-09-2017, 22:52

Lëvizja e Astrit Patozit kundër Lulzim Bashës do të vijojë brenda Partisë Demokratike. Ai tha në Top Story se ka një alternativë të brendshme në PD, që sipas tij e bën partinë më përfaqësuese.

“Unë bashkë me kundërshtarët e Lulzim Bashës dhe këtë fluks demokratësh janë shumë më tepër sesa të përjashtuarit nga lista për deputetë. Kush hap debatin e listës do ta fshehë problemin”, deklaroi ai.

Sipas Patozit përçarja e partisë shmanget duke njohur kritikët si alternativë dhe testimi i kësaj alternative.

“Që ne të vazhdojmë bashkë, që kjo parti të mos shkërmoqet, duhet që Basha ta njohë si alternativë dhe ta njohë sesa vlen. Ne mendojmë se sot jemi shumica, mund të jemi gabim, por duhet të provohet. Por, alternativa “Basha” është e dështuar dhe kjo është e provuar”, tha Patozi.

Mungesa e përfaqësimit, tha Patozi, është problemi kryesor që duhet zgjidhur sa më parë brenda PD dhe për këtë, ai thotë se alternativa që përfaqëson do t’i imponohet Bashës.

“Ne do t’i imponohemi zotit Basha dhe kujtdo tjetër që mund të qëndrojë para dhe pas tij. Nëse dikush ka diçka në dorë në PD, duhet ta bëjë për mirë, ashtu siç po kërkojmë ne. Do të imponohemi që të vendosen rregulla loje dhe të vendoset menjëherë përfaqësimi. Demokratët kërkojnë që të vendoset përfaqësimi dhe më pas rregulla të qarta loje që të mos na ndodhë kjo thagmë që na ndodhi”, vijoi ai.

Thirrja e Patozit për Lulzim Bashën ishte një.

“Një kryetar që i kanë ikur 220 mijë bletë nga zgjoi në pak vite, duhet të ketë pak koshiencë. Nëse e ka këtë, ka vend për të negociuar dhe bashkëpunuar, nëse jo, do të ishte fundi i asaj partie dhe unë nuk e uroj. Ne nuk jemi kundërshtarë të zotit Basha! Ne kemi kundërshtar Edi Ramën! Na mjafton dhe tepron. Ne jemi alternativë e Bashës, sepse mendojmë që politika nuk mund të funksionojë kështu”, u shpreh ai.

Patozi shprehu bindjen se alternativa nuk do të tërhiqet edhe nëse kundër saj del ish-kryedemokrati, Sali Berisha.

“Nëse zoti Berisha do të na dalë përballë, ne do të jemi edhe kundër tij. Nëse Berisha del dhe të thotë është kundër alternativës, do të jemi edhe kundër tij. Kjo është shumë e thjeshtë!”,- tha Patozi./TCh/