Transmetuar më 20-09-2017, 13:38

Me vendim të Këshillit të Ministrave, miratohet dhënia e ambienteve për komisionin e pavarur të kualifikimit dhe operacionin ndërkombëtar të monitorimit dhe Kolegjit të Apelimit, pjesë e institucioneve të reja të sistemit të drejtësisë .

Në një komunikim me median, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, tha se me këtë hap është krijuar mbështetja infrastrukturore dhe ajo logjistike.

"Në mbledhjen e parë qeveria mori vendimin për vënien në dispozivcion të mjediseve të punës për komisionin e pavarur të kualifikimit dhe operacionin ndërkombëtar të monitorimit.

Sot qeveria bëri një hap tjetër të rëndësishëm, miratoi vendinin e tij për vënien në dispozicion të ambienteve për Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke mundësuar kështu ofrimin e kushteve logjistike dhe infrastrukturore të nevojshme për funksionimin e tij. Me këto dy vendime qeveria shqiptare i jep mbështetjen e plotë infrastrukturore dhe logjistike për organet e vettingut", tha ministrja e Drejtësisë.

Gjonaj nënvizoi po ashtu se pjesë e planit është edhe mbështetja me pagesë për projektet e këtyre strukturave.

"Njëkohësisht qeveria shqiptare është angazhuar dhe shprehur e gatshme me mbështetjen e strukturave dhe mbështetjen financiare për pagat dhe stafet të organeve të vettingut, vendim i cili po diskutohet edhe në Komisionin e Ligjeve dhe që do miratohet shumë shpejt në Kuvend". /k.k/noa.al/