Transmetuar më 20-09-2017, 17:42

Të tjera detaje janë zbuluar pas ngjarjes që ndodhi në komunën e Flero, në Brescia të Italisë pak ditë më parë, ku dy qen pitbull masakruan për vdekje një fëmijë 1 vjeç me origjinë shqiptare.

Gjatë një prononcimi për "Canale 5", dy policiët Domenico Castello e Graziano Vincenzo kanë treguar ngjarjen e tmerrshme duke thënë se iu është dashur të vrasin me armë zjarri qentë për të ndërhyrë.

"Qentë ishin egërsuar dhe rrotulloheshin vërdallë gjyshit që e mbronte vogëlushen me trupin e tij. Shiheshin këmbët e gjakosura të vajzës së vogël. Vendosëm t’i vrisnim me 3 plumba kafshët, situata ishte dramatike. Nuk po hapnim dot portën", kanë rrëfyer policët.

Gjyshi i saj një 63 vjeçar, pronar i kafshëve është përpjekur ta shpëtojë mbesën, por nuk ka mundur dot, pasi vogëlushja Victoria Zikaj, 13 muajshe, vajza e emigrantit shqiptar Egi Zikaj, ka humbur jetën si pasojë e kafshimeve.

Ndërkohë që gjyshi i vogëlushes së ndjerë, pas ngjarjes së ndodhur këtë të diel është vënë nën hetim. Nëna e vogëlushes një vajzë 22-vjeçare italiane nuk ishte në shtëpi në momentin që ndodhi ngjarja, ndërkohë babai i vogëlushes me origjinë shqiptare, punon në Gjermani, ku u transferua para disa muajsh, pasi humbi punën në Itali.

Kur policia mbërriti në banesën ku ndodhi ngjarja tragjike iu desh të përballej me dy pitbullët, të cilët nuk i lejonin të hynin brenda. Më pas mbërriti edhe nëna e foshnjës, e cila në gjendje shoku u dërgua në spital.

Prokuroria e Brescia ka regjistruar një procedim penal ndaj gjyshit nga ana e babait të të voglës, për mungesë kontrolli. Aktualisht ai ndodhet në spital për shkak të plagëve të marra nga kafshimet e dy qenve, teksa tentonte të shpëtonte mbesën.

“Vetëm babai i vogëlushes dinte t’i mbante nën kontroll dy qentë”, thonë fqinjët e familjes. /b.l/noa.al/