Transmetuar më 20-09-2017, 19:31

Dy të rinj shqiptarë, rreth 20-vjeçarë, mbetën të plagosur rëndë në Francë pasi u qëlluan me armë të ftohtë në rrethana ende të paqarta, raporton noa.al duke cituar policinë franceze.

Ngjarja ndodhi sot në qytetin Poitiers, ndërsa viktimat e sulmit gjendeshin në rrugën “de la Chaîne” në Poitiers.

Policia identifikoi si autorë të krimit dy të rinj nga Afrika Veriore, edhe ata rreth 20-vjeçarë, të cilët janë ndaluar për zbardhjen e hetimeve.

Gjithçka ndodhi në orën 03.30 të mëngjesit të sotëm (e mërkurë), raporton noa.al. Në fotot jeni duke parë pamje nga vendi i ngjarjes.

Gazeta vendase La Nouvelle Republique citon dëshmitarë në vendngjarje të cilët tregojnë se u zgjuan nga britmat e të pranishmëve në incidentin e dhunshëm.

“Kam dëgjuar zërin e njerëzve, fyerjet, britmat”, - thotë një student.

“Dëgjova njerëz që po konfrontoheshin mes tyre”, - tha qiramarrësi i një apartamenti që ndodhej shumë pranë vendngjarjes.

Kurse shtoi: “Nuk e kuptoja se ç’po flisnin, nuk ishte gjuha jonë. Por po bërtitnin me të madhe. Më pas dëgjova një mjet, ndoshta makinë, ndoshta një motor, që u zhduk me shpejtësi”.

Dëshmitari tregon dhe një tjetër moment: “Dëgjova dhe një grua që doli dhe po ulërinte duke thirrur në emër një nga dy personat e plagosur. Dikush pastaj thirri për ndihmë policinë”.

Një zyrtar policor tha se të plagosurit u dërguan në spitalin e qytetit, me plagë të rënda në trup. Ai pohoi se ata kishin humbur shumë gjak dhe gjendja e tyre ishte serioze.

Ende nuk dihen shkaqet e sherrit mes dy shqiptarëve dhe dy afrikanëve, ndërsa lidhur me ngjarjen policia franceze ka nisur hetimet. 

Zyrtarisht, nuk u konfirmuan emrat e të plagosurve dhe as të dyshuarve që u arrestuan më vonë gjatë të mërkurës. /noa.al/