Transmetuar më 02-10-2017, 17:44

Pas lajmit për aktin e sotëm në Las Vegas ku mbetën të vrarë 50 persona dhe qindra të tjerë u plagosën, ka reaguar presidenti Ilir Meta duke thënë se është i tronditur nga ky akt barbar. Duke përcjellë ngushëllimet e tij familjarëve Meta shkruan se shpreh solidaritet e mbështetje për popullin mik e autoritetet amerikane.

“Sulmi barbar i sotëm në Las Vegas më tronditi thellësisht! Në këto momente te vështira për popullin mik amerikan ndaj dhimbjen dhe përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të viktimave e të gjithë te lënduarve i uroj shërim sa më të shpejtë.

Dënoj me forcë ketë akt barbar e shpreh solidaritet e mbështetje për popullin mik e autoritetet amerikan në përballje me akte që synojnë të trembin dhe te mbjellin frike e terror ne mbarë botën e qytetëruar dhe demokratike” shkruhet në njoftimin e Presidencës.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vuajnë vrasjen masive më të madhe në histori pasi të paktën 50 vetë u vranë dhe më shumë se 406 u plagosën në një koncert të muzikës country në Las Vegas të dielën në mbrëmje.

Të shtënat me armë nisën afër fundit të festivalit në ‘Route 91’, ku ishin të pranishëm 22 mijë vetë, përfshi performuesit e njohur Eric Church, Sam Hunt dhe Jason Aldean.

Policia njofton se qitësi është 64 vjecari Stephen Craig Paddock, një banor i Nevadas që nisi të shtënat rreth orës 10 të mbrëmjes në rrugën pranë hotel Mandalay Bay.

Më pas oficerët mësynë në apartamentin e Paddock në katin e 32 të pallatit dhe e gjetën Paddock të vdekur brenda, mes një arsenali armësh. Autoritetet njoftuan se Paddock kishte qëlluar veten. /b.l/noa.al/