Transmetuar më 03-10-2017, 15:49
Publicitet

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, znj. Ogerta Manastirliu ndoqi nga afër aksionin e prishjes së ndërtimeve të paligjshme në ambientin e spitalit Rajonal të Elbasanit si dhe lajmëroi vijimin aksion të madh higjienizimi të ambienteve të brendshme të spitaleve në 100 ditët e para të qeverisjes.

“Jemi sot në Elbasan, për të nisur aksionin e pastrimit të territoreve të spitaleve nga ngrehina e aktivitete që jo vetëm nuk kanë lidhje me to, por më keq akoma, rrisin ndotjen spitalore, e cila është e lidhur drejtpërdrejt me infeksionet spitalore. Faza e parë ka qenë ajo e identifikimit në çdo spital rajonal dhe bashkiak të të gjithë këtyre objekteve. Kemi identifikuar vetëm në spitalet rajonale rreth 1132 metra katrorë hapësirë të zënë, ndërtime gjithëfarësh që i kanë zënë frymën spitaleve. Ne jemi të angazhuar për të ndryshuar faqen e spitaleve tona dhe për të ofruar një shërbim të denjë për qytetarët”, tha Manastirliu.

Znj. Manastirliu garantoi të gjithë qytetarët se zaptimi prej 20 e kusur vitesh i ambienteve të spitaleve tona publike do të marrë fund një herë e mirë dhe qytetarët shqiptarë, kudo ku ata e marrin shërbimin shëndetësor, do të trajtohen në mjedise të pastra dhe dinjitoze.

“Angazhimi ynë është që brenda 100 ditëve, hapësirat e jashtme të të gjithë spitaleve dhe qendrave shëndetësore, të pastrohen nga kioskat apo ndërtimet e paligjshme dhe këto hapësira, nga burim ndotje, të jenë hapësira të gjelbëruara në funksion të qytetarëve. Nga Elbasani, aksioni ynë do të shtrihet në të gjithë Shqipërinë dhe gjej rastin këtu të falenderoj për bashkëpunimin shumë të mirë, Inspektoriatin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit si dhe strukturat e policisë së shtetit. Jemi të vendosur ta çojmë deri në fund këtë aksion, i cili është shumë më tepër se pastrim i territorit të spitaleve”, u shpreh Manastirliu.

Po nga Elbasani filloi njëherësh aksioni i gjelbërimit të ambienteve të jashtme të spitaleve, me mbjelljen e pemëve dhe sistemimin e territorit. Ministrja e Shëndetësisë, e shoqëruar nga deputetët e zonës si dhe drejtuesit e Institucioneve Shëndetësore mbollën pemë në ambientet e spitalit. Aksioni që nisi sot në Elbasan, është edhe një aksion i madh higjienizimi i ambienteve të brendshme të spitalit. /b.l/noa.al/ 

Loading...