Transmetuar më 04-10-2017, 12:48
Publicitet

“Paradokse me autoritetet e komandimit në Forcat e Armatosura!” Kështu thotë nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama, duke deklaruar se shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Ushtrisë, Bardhyl Kollçaku është me gradë më të ulët nga vartësit e tij.

Ai deklaron se megjithëse në nenin 15, pika 2 të ligjit nr. 64/2014 “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe të komandimit të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë” thuhet shprehimisht se “Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura është autoriteti më i lartë ushtarak në gradë dhe në hierarkinë e drejtimit e të komandimit strategjik në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, e vërteta nuk është kështu.

Luana Rama shton se, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, nuk është autoriteti më i lartë ushtarak në gradë.

Në këtë linjë bën me dije se shefit të sapo emëruar, pak ditë para emërimit, nga kolonel, ju dha grada Gjeneral brigade ose gjeneral me një yll.

“Me sa duket është ndjekur ‘parimi’ ta bëjmë gjeneral për ta bërë shef shtabi e jo ta bëjmë shef shtabi pse është më i zoti e më i afti ndër gjeneralët! Dhe për paradoks ndër vartësit e tij, ka edhe funksionarë të lartë ushtarakë që mbajnë gradën Gjeneral major apo gjeneral me dy yje, që është gradë ushtarake më të lartë në hierarkinë e gradave ushtarake nga ajo që ka aktualisht Shefi i Shtabit!”, shkruan Rama në Facebook.

Duke vijuar qëndrimin e tij shprehet se në rastin konkret jemi në kundërshtim me nenin 15, pika 2 të ligjit “Për pushtetet dhe autoritetet e drejtimit dhe të komandimit të Forcave të Armatosura në Republikën e Shqipërisë”.

Por njëkohësisht sipas tij, është në kundërshtim edhe me nenin 7, pika 1 (hierarkia ushtarake) të ligjit nr. 59/2014 “Për karrierën ushtarake në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë", ku thuhet shprehimisht: “hierarkia ushtarake përfshin rendin e gradave dhe të funksioneve”.

Ai e cilëson si paradoksin e radhës, po jo i vetmi në morinë e paradokseve shqiptare në raport me ligjin dhe seriozitetin në zbatimin e tij. /a.y/noa.al

Loading...