Transmetuar më 05-10-2017, 11:05
Publicitet

Ish-Kryeministri Sali Berisha, akuzon kryetarin e Kuvendit Gramoz Ruçi se po rikthen në Kuvend të njëjtën situatë si në periudhën e Enver Hoxhës.

Deklarata e tij u dha në ambientet e jashtme të parlamentit, pas ndërprerjes së seancës lidhur me debatin për reformën zgjedhore, ku Partia Demokratike kërkon që të zhvillohet ditën e sotme, ndërsa PS dhe LSI që të shtyhet për seancën tjetër.

Berisha tha se kjo shumicë ka frikë nga fjala.

“Çfarë po kërkon opozita, po kërkon që ky komision të këtë diskutim. Gramoz Ruçi po fut në parlament metodat e vjetra të policisë hoxhiste. E paralajmërojë që të heqë dorë se është e papranueshme”, u shpreh Berisha.

Më tej ai foli edhe për situatën e krimit në vend, duke thënë se serial killerat dhe trafikantët bëjnë ligjin në çdo sekondë.

Berisha tha edhe se Shqipëria ndodhet nën sundimin e plotë të drogës dhe krimit.

“Ajo që shpërtheu në Elbasan dy herë ose tre, më rëndë se kudo është në Shkodër. Kreu i meduzës së krimit të organizuar është Edi Rama, ai është kryekumbari i Shqipërisë. Është Edi Rama që në Shkodër ato pesë vota që merr i merr përmes krimit, është Edi Rama që e mbushi parlamentit me trafikantë”, deklaroi Berisha.

Ai shtoi më tej se vëllai i Kryeministrit, Olsi Rama ka kaluar disa herë kufirin me makinën e bandës së kokainës, dhe se nëse flitet për krimin, do të flitet dhe për Edi Ramën. /a.y/noa.al