Transmetuar më 05-10-2017, 12:31
Publicitet

Hapet thertorja e parë publike në Tiranë, e cila ndodhet në zonën e Vaqarrit dhe që synon të shmangë ndotjen por edhe të ofrojë informacion për mishin e kontrolluar dhe të certifikuar.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, tha se me hapjen e thertores publike, për të cilën kujdeset Agjencia për Mbrojtjen e Konsumatorit, vendoset një standard i ri në garantimin e cilësisë dhe standardit ushqimor për banorët e kryeqytetit.

Duke e cilësuar si një çështje që lidhet drejtpërdrejt edhe me sigurinë kombëtare, Veliaj deklaroi se ka ardhur koha që të gjithë të mendojnë seriozisht për sigurinë ushqimore. “Kjo thertore vendos një standard. Ashtu si në shumë fusha ku kemi futur një operator publik, qoftë për pastrimin, edhe në nisma të tjera ku publiku po bën një punë më të mirë se privati, ashtu do fillojë edhe në industrinë e konsumit dhe përpunimit të mishit. Po fusim një operator publik, së pari për të ulur çmimet në treg, duke qenë se kemi çmime shumë më konkurruese se sa privati; së dyti, për të rritur cilësinë dhe për t’u thënë të gjithëve standardi ynë është ky”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku kërkoi prej operatorëve privatë që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në fushën e tregtimit të mishit që të garantojnë të njëjtat standarde dhe kushte higjienike sikurse edhe thertorja publike e Bashkisë së Tiranës.

“Kemi një shërbim me cilësi më të lartë dhe çmim më të ulët. Dua të bëj një ftesë publike për të gjithë ata që janë në këtë lloj biznesi, të përdorin thertoren publike të bashkisë dhe të gjithë ata që janë në sektorin privat, t’u kërkoj siç u kërkojmë edhe operatorëve të tjerë në fusha të tjera, të mbajnë standardin e bashkisë. Publikja e ka fuqinë, jo publikja që trashëguam, ku ishte degjeneruar çdo aset publik, por publikja e administruar mirë, e ka fuqinë të ngrejë stekën shumë lart edhe për privatin”, u shpreh ai.

Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë në këtë nismë të Bashkisë për ndërgjegjësimin dhe garantimin e standardeve më të larta për sigurinë ushqimore që të kërkojnë paraprakisht certifikatën e lëshuar nga veterineri.

Tirana ka zyrtarisht 300 subjekte të tregtimit të mishit. Veterineri i Bashkisë Tiranë do të jetë i pranishëm në këtë thertore publike duke garantuar përmes vulës, standardet e mishit që del nga ky ambient. I gjithë procesi realizohet me parametra ndërkombëtarë, kushte maksimale higjieno-sanitare dhe nga personel i kualifikuar. Gjithashtu, transporti me mjet frigoriferik do të kryhet nga thertorja publike tek pika e shitjes, duke eliminuar në këtë mënyrë edhe transportimin e mishit pas bagazhit të makinave private. /a.y/noa.al

Loading...