Transmetuar më 05-10-2017, 16:11

Pas ndërprerjes për të disatën herë të seancës së sotme plenare dhe rezistencës që deputetët e Partisë Demokratike bënë, duke mos dalë nga salla, palët siç duket po negociojnë.

Mësohet se negociatat mes mazhorancës dhe opozitës duket se konsistojnë në shtyrjen e seancës për një ditë tjetër dhe që mund të jetë e hëna.

Në mënyrë të pazakontë ka vijuar seanca e sotme parlamentare me rend dite ngritjen e Komisionit të reformës zgjedhore. 

Prej orës 11:00 kryetari i PD-së, Lulzim Basha vijon të qëndrojë brenda në Kuvend pavarësisht se kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi vendosi përjashtimin e tij dhe i kërkoi të lërë sallën.

Bashkë me deputetët e grupit parlamentar ata vijojnë të qëndrojnë brenda ndërsa në orën 18:00 është parashikuar vijimi i seancës.

Nëse Basha del jashtë sallës së Kuvendit ai nuk mund të futet brenda pasi garda nuk do ta lejojë pas vendimit të Ruçit për përjashtim.

Opozita kërkon mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve për të caktuar orën kur do të nisë debati për objektin e komisionit ndërkohë mazhoranca vendosi me anë të kartonit ta  shtyjë javën tjetër.

PD akuzon maxhorancën se kërkon ti mbyllë gojën. “Të vendosur për të rezistuar”, ka shkruar deputetja demokrate Vokshi, në një postim në Facebook rreth orës 14:30 shoqëruar dhe me foto brenda Parlamentit. /b.l/noa.al/