Transmetuar më 05-10-2017, 18:36

Dhjetëra telefona celularë të sekuestruar dhe disa bizhuteri floriri, është bilanci i një operacioni policor në Durrës.

Në sajë të operacionit të koduar “Phones&Jewellery”, përveç sendeve të sekuestruara, janë proceduar penalisht edhe 5 persona, përkatësisht: Gj.M. 38 vjeç, E.E. 32 vjeç, L.Rr. 48 vjeç, B.G. 45 vjeç, dhe E.S. 31 vjeç, të gjithë banues në Durrës.

Policia thotë se “në bazë të informacioneve të disponuara nga strukturat solicore, gjatë kontrollit të ushtruar në Sheshin “Pranvera” shtetasve Gj.M.  E.E. L.Rr. dhe E.S. u janë konstatuar duke tregtuar telefona celularë të markave të ndryshme dhe aksesorë telefonash, pa dokumentacion përkatës”.

Ndërkohë, personi tjetër, me inicialet B.G. u kap duke treguar bizhuteri të ndryshme, (varëse dhe unaza floriri) pa dokumentacion përkatës.

Më konkretisht, në përfundim u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 90 telefona celularë të markave të ndryshme, 150 aksesorë telefonash celularë, 130 bizhuteri, varëse, unaza dhe orë dore.

Me çështjen në fjalë do të merret Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Durrës. /k.k/noa.al/