Transmetuar më 07-11-2017, 14:54

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili e ka cilësuar kryeministrin Edi Rama si përdoruesin dhe frymëzuesin e krimit.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Vasili ka reaguar pas mesazhit të fortë që bëri sot ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu për shkëputjen e lidhjeve të krimit me politikën.

Sipas Vasilit, kryeministri Rama nuk guxon të shkarkojë ata policë që e kthyen krimin në epidemi, madje shkon deri aty sa pengon hetimin e krimit, duke sjellë në vëmendje rastin e ish-ministrit Tahiri.

“Kryeministri është përdorues dhe frymëzues i kazanit të krimit, dënglat e tij janë lojë. Kryeministri riciklon kazanët e krimit dhe nuk i lufton ato.

Kryeministri: e përdor krimin, i jep vetes kurajo me kriminelet, nuk ka as guximin më të vogël të ndryshojë dot asnjë nga ata në polici që e bënë krimin epidemik, e pengon krimin të hetohet siç bëri me ish ministrin, e përmbyti vendin me drogë e trafikantë.

Ky është thjesht kryeministër i kazanit të krimit, përdorues dhe frymëzues i tij, këtë e di edhe njeriu më i zakonshëm. Dënglat dhe llafazanllet histerike janë lojë....edhe kjo në favor të krimit”, shkruan Vasili,

Diplomati amerikan i ka kërkuar sot politikës shqiptare që të mos mohojë lidhjet me grupet kriminale, ndërsa nuk nguroi të citojë emra konkret.

“Ju keni një shprehje “dielli duket që në mëngjes”. Na pëlqen që ky plan veprimi e pranon qartë dhe prerë se krimi i organizuar shqiptar është problem serioz dhe kërcënim për sigurinë kombëtare. Deri tani organet e drejtësisë penale kanë dështuar ndaj grupeve kriminale. Shqipëria ka një problem mes lidhjeve mes grupeve kriminale dhe politikanëve. 

Nëse e mohoni këtë shqyrtoni rastet e Arben Ndokës, Arben Frrokut, Elvis Roshit dhe Gentian Mahmutajt. SHBA do angazhohen fuqimisht kundër krimit të organizuar pavarësisht lidhjeve që mund të ketë me politikanë, biznesmenë, gjyqtarë e prokurorë. Ju thoni “peshku i madh e ha të voglin”. Për një herë të vetme në Shqipëri le të hamë peshkun e madh”, u shpreh Donald Lu. /b.l/noa.al/