Transmetuar më 07-11-2017, 18:40
Publicitet

Ish-Ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj, është tregtuar skeptik për deklaratat e bëra sot nga ambasadori amerikan në vendin tonë Donald Lu, se në janar do të ketë arrestime të “peshqve të mëdhenj”.

I ftuar në studion e lajmeve të Syri.net, Demiraj tha se një pjesë e drejtuesve të policisë që ishin të pranishëm në aktivitetin e Donald Lu, janë pjesë e kupolës së krimit të organizuar.

“Nuk dua të paragjykoj ambasadorin Lu, por unë nuk besoj që peshqit e mëdhenj ti kapin disa peshq që kanë qenë të përfshirë në trafikun e drogës. Nuk mund të kapin ato peshq që lëvizin në të njëjtat ujëra.

Ajo që po them unë dhe të gjithë e dinë, është se një pjesë e drejtuesve të policisë që ishin prezent aty kanë qenë drejtues edhe gjatë viteve 2015-2016, si pjesë e kupolës drejtuese. Unë nuk mund të besoj që lufta kundër krimit bëhet me propagandë”, deklaroi Demiraj.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Lu ka deklaruar sot se në fillim të vitit 2018 pret arrestimin e atyre që vazhdimish i quan, “peshq të mëdhenj”.

"Po flasim me vepra dhe jo me fjalë. Nga lufta kundër krimit të organizuar ne presim rezultate. Ne presim arrestimin dhe ndjekjen penale në fillim të vitit të ardhshëm dhe që ky sukses të vazhdojë në 2018.

Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë e presin këtë, populli shqiptar e meriton këtë”, tha Lu në një aktivitet në ministrinë e Brendshme. /b.l/noa.al/

Loading...