Transmetuar më 08-11-2017, 12:53
Publicitet

Qeveria do të ketë një politikë agresive për sistemin e kontratave në ndërtimin e rrugëve, për “të mos lënë hapësira të pafundme për spekulime e mashtrime”, është shprehur kryeministri Edi Rama, në takimin e buxhetit për Infrastrukturën.

Ai tha se kanë nisur penalizime për supervizorë dhe zyrtarë të përfshirë në dëmin ndaj buxhetit të shtetit, teksa e ka quajtur të papërgjegjshëm administrimin nga ana e drejtorisë së rrugëve.

“Politikë agresive për sistemin e kontratave që të mos lënë hapësira të pafundme për spekulime e mashtrime për sistemin e supervizionimit, që është problem themelor në këtë vend dhe do të jemi me tolerancë zero ndaj gjithë supervizorëve dhe njëkohësisht do t’i japim fund historisë së akumulimit të borxheve që fatkeqësisht na shoqëroi dhe në këtë periudhë për shkak të supervizorëve të papërgjegjshëm dhe administrimi të papërgjegjshëm të drejtorisë së rrugëve.

Ne kemi nisur procese penale për ata supervizorë dhe zyrtarë të përfshirë në këtë dëm ndaj buxhetit të shtetit dhe shkelje flagrante të ligjit të buxhetit të shtetit dhe do të vazhdojmë të çojmë para drejtësisë këdo prej tyre që ka marrë pjesë në këtë shkelje”, tha Rama.

Më tej Rama garantoi se ambicia e qeverisë së tij në lidhje me infrastrukturën është që në 4 vitet e ardhshme rrugët e Shqipërisë do të garantojnë siguri dhe nuk do të kërcënojnë jetën e askujt.

“Ambicja jonë është që në këtë 4 vjeçar ne të bëjmë të mundur që akset tona kombëtare të kthehen të sigurta që garantojnë lëvizshmërinë dhe nuk kërcënojnë jetën e askujt. Në pikëpamje të asaj që infrastukutra garanton, është tjetër gjë aksidentet që shkaktohen për shkak të automjeteve pasi kjo ndodh në të gjithë botë.

Si do bëhet kjo? Ne kemi një buxhet 42 % më  të lartë për financimin e infrastrukturës. 42 % më i lartë do të thotë jo pak edhe pse nuk është i mjaftueshëm për të përfytyruar në një hark kohor për ndryshimin që duam, ama është i mjaftueshëm nëse projektet janë të duhura dhe nëse puna është e duhur që ne të hedhim hapa. Ne do t’ia dalim qoftë me financimin e buxhetit, qoftë edhe nëpërmjet programit 1 mld për rindërtim”, shtoi Rama.

Kryeministri përmendi dhe projektet kryesore përsa i përket rrugës, si: “Do të garantojmë përfundimin e rrugës Korçë-Ersekë,  do të garantojmë më në fund edhe çlirimin e një ngërçi disa vjeçar ku u gjendëm për shkak të një gare me mangësi, të një kontrate me mangësi në 2 bypass-et e Fierit dhe Vlorës që më në fund janë vënë në rrugën e zgjidhjes.  Jeni njohur me ecurinë e projektit të rrugës së Arbërit. Tani mbetet vetëm finalizimi i kontratës dhe fillimi i punës në terrenm për të mos u ndaluar më”. /b.l/noa.al/ 

Loading...