Transmetuar më 22-11-2017, 08:45

Djali 24-vjeçar kërkohej prej tre muajsh nga policia, që kur u arratis nga banesa, ku ndodhej në arrest shtëpie për shpërndarje droge, por nëna e tij vendosi që ta dorëzojë.

Ngjarja e pazakontë ka ndodhur në Terlizzi të Barit, Itali. Djalit, i cili tashmë ndodhet në burgun e Tranit, nëna e tij 47 vjeçe, vendosi që t’i shkruajë një letër për të shpjeguar veprimin e saj, të cilën e titullon “Më urre, por e bëra për të shpëtuar.”

Letra e hapur e nënës me emrin Daniela po bën bujë në mediat italiane, ndërsa noa.al, e sjell të shqipëruar më poshtë:

“I dashur djali im, mëngjesin e kaluar bëra diçka që një nënë nuk do të donte ta bënte kurrë: tradhtova besimin e verbër që ti prej 24 vitesh kishe tek unë, duke të dorëzuar në duart e dikujt që nuk di asgjë për ty, përveç emrit tënd dhe prapësive të tua. Ishte një veprim i nevojshëm dhe i pashmangshëm. Ajo që më shkatërronte ishte të vazhdoja jetën time të përditshme, e cila niste në mëngjes duke vendosur maskën e normalitetit dhe që përfundonte në darkë… Gjithmonë e fiksuar pas telefonit, duke u siguruar që të ishte i karkikuar dhe ndezur dhe se mos kishin ardhur mesazhe që nuk i kisha lexuar, me shpresë se do merrja një lajm prej teje. Në të njëjtën kohë e shqetësuar se mos shfaqej një numër i panjohur që të më jepte ndonjë lajm të keq, ndonjë aksident tragjik apo një epilog i rëndë për çështjen tënde.

Kontrollet e vazhdueshme në shtëpinë tonë, në shtëpinë e miqve dhe të njohurve, nuk bënin gjë tjetër veçse më shtonin ankthin, duke ditur se ishe në rrezik, i kërkuar nga policia kudo. Shpesh lexoja në sytë e ndonjërit inatin e tyre ndaj teje, të cilët donin të të kapnin si një “trofe” për të koleksionuar. Kur largoheshin, druaja se mos të kishin gjetur…

Disa vite më parë vdiq një miku yt i shtrenjtë, një vëlla për ty. Kujtoj si sot fjalët që nëna e tij më pëshpëriti kur iu afrova për ngushëllim, “Daniela, do kisha preferuar që të ishte në burg dhe ti shkoja për vizitë gjithë jetën, të paktën do mund ta shikoja, përqafoja dhe ti flisja ende… Ti je me fat!”

Unë duke mos e ditur se ku ishe, si mbijeton, ku flije, kë takoje, shkatërrohesha prej muajsh. Nuk kishte më paqe në zemrën dhe mendjen time… isha si një qiri që po shuhej dita ditës, orë pas ore…

Atë mëngjes, kuptove se diçka nuk shkonte. Ndoshta lexoje në lëvizjet e mia ankthin që më shqetësonte. Teksa u afrova tek ty, sytë tanë u përhumbën tek njeri tjetri, njëlloj si të shkriheshin në një shikim të vetëm dhe unë u ndjeva “Juda” që tradhtoi vëllanë e tij…

Ula kokën dhe të dorëzova tek ata që po të kërkonin prej kohësh… Doja të vdisja, por bindesha gjithnjë e më shumë se kisha bërë gjënë e duhur. Pastaj, komandanti më dha fjalën e tij: s’do ketë dhunë. Fjala u mbajt!

Edhe ti nga ana tjetër, tregove pjekuri, zgjuarsi dhe respekt në një moment kaq të vështirë dhe të papritur. Teksa po të rrethonin dhe ti mundoheshe të ruaje qetësinë, unë të kërkoja falje për atë që bëra. Ti kërkoje sytë e mi, dhe unë e vrarë në zemër, kërkoja të tutë…

Më përsërite shumë herë se do më urreje gjatë gjithë jetës tënde. Më urre djali im, më urre sa të duash… Unë përkundrazi, do vazhdojë të të dua me të njëjtin intensitet si gjithmonë, ndoshta dhe më shumë. Një ditë do të pranosh vetë se ishte kjo ajo që doje edhe ti. Ndoshta do të duash të më takosh dhe unë do kem konfirmimin e një nëne me fat, pasi do mund të të shoh prapë, të të përqafoj dhe të të flasë… Nëna jote./ Shqipëruar nga Arjola Ymeraj/noa.al