Transmetuar më 22-11-2017, 11:35

Ditën e dielë u nda nga jeta një nga kompozitorët më të mëdhenj shqiptar Aleksandër Lalo. Në momentin që mediat transmetuan këtë lajm, Tv Klan ishte duke transmetuar “C’est la vie”, spektakël ku Lalo ishte pjesë e jurisë.

Vetëm pak pas lajmit për humbjen e Lalos, transmetimi është ndërprerë. Por menjëherë më pas në disa media u shkrua se Marina dhe Altin Goci, dolën blof pas sqarimit që bënë duke thënë se ka akuza se ata nuk janë live.

Lidhur me këtë deklaratë, Altin Goci përmes një postimi në Facebook ka bërë një reagim duke sqaruar edhe një herë se kujt i referoheshin kur tha se “jemi live 100% nga fillimi deri në fund”.

“Ne fakt kisha vendosur të mos replikoja fare ndaj spekulimeve të rastit në disa media, jo për gjë, por tanimë është bërë si traditë. Nuk doja të replikoja për respekt të profesorit Lalo pasi në asnjë çast nuk dua që humbja e tij e parakohshme të përdoret për gjëra të pavlera. Po ndjej se kam një detyrim ndaj miqve të mi të rrjeteve sociale dhe prandaj dua të sqaroj se:

Ajo çfarë kam thënë unë se “gjithçka këtu është Live” në serinë e fundit të #C’estlavie i referohet të kënduarit live (jo me play back), orkestrës që është e gjitha live përfshirë edhe harqet e veglat frymore dhe nuk kishte të bënte me regjistrimin e programit. Kjo është shumë mirë e shpjeguar dhe besoj se kuptohet nga të gjithë. 

Tjetër gjë është e kënduara live (zë orkestër) të cilës unë i referohem dhe tjetër gjë është regjistrimi i programit. Ikën nga kjo botë një thesar i muzikës shqiptare, dhe pa më dalë akoma brenga e kësaj ikje të madhe duhet të merrem me të tilla sqarime, gjëra që nuk kanë asnjë vlerë.”, ka shkruar Goci. /b.l/noa.al/