Transmetuar më 23-11-2017, 18:07

Në një kohë kur ende nuk janë ekzekutuar urdhër-arrestet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit, deputeti i Partisë Socialiste, Pjerin Ndreu u ka bërë thirrje atyre që të dorëzohen sa më shpejt.

Përmes një reagimi në Facebook, ligjvënësi i majtë ka shkruar se është e papranueshme që ata t’i shmangen urdhrit të organit të akuzës.

“Ish- zyrtarët e policisë, ndaj të cilëve ka urdhër-arresti, duhet të dorëzohen një orë e më parë! Shmangia nga ekzekutimi i arresteve është e papranueshme për një ish- zyrtar të rangut të lartë! Të paraqiten para drejtësisë e të japin dëshmi për akuzat, përndryshe pozita e tyre kompromentohet dhe lë hije dyshimi të forta për implikimin e tyre në rrjete kriminale!”, ka shkruar Ndreu në facebook.

Një ditë më parë, Prokuroria për Krime të Rënda lëshoi urdhër-arresti Jaeld Çela, ish-drejtor i Policisë Vendore Vlorë, Gjergj Kohila, ish-shef i Sektorit Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë si dhe Sokol Boden, ish-shef i Postës së Policisë Kufitare Dhërmi.

Ndërkohë, këto urdhra ende nuk janë ekzekutuar nga policia, për shkak se asnjëri prej tyre nuk është gjetur në banesë. /k.k/noa.al/