Transmetuar më 23-11-2017, 20:58

Rreth 600 pisha do të zëvendësojnë palmat përgjatë segmentit të parë të autostradës Tiranë-Durrës. Vendimi është marrë këtë të enjte në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Tiranës.

Sipas këtij vendimi, pishat do të mbillen brenda muajit dhjetor dhe do t’i kushtojë bashkisë së Tiranës 3.3 miliardë lekë.

Projekti ngjalli debat dhe replika në mbledhje me këshilltarët demokratë dhe të LSI-së që kundërshtuan projektin.

"Ky është një vendim që na vendosen krahas një vendimi tjetër skandaloz i cili është ai prej 2.5 mln eurosh për të zëvendësuar palmat në autostradë me pisha." tha Akil Kraja, këshilltar i PD.

Ndërsa kryebashkiaku Erjon Veliaj e pranoi që mbjellja e palmave nuk ishte një zgjidhje e duhur, por shtoi se ky segment është i rëndësishëm dhe nuk mund të mbetet në këtë gjendje.

"Mbjelljen me pisha të buta të brezit të gjelbër të dy krahëve të autostradës mbikalim Kamëz deri tek mbikalimi i Kasharit. E pranojmë që palmat nuk ishin një zgjidhje për t’i mbijetuar temperaturave. Nëse do t’i përfundonim përpara vitit të ri do të ishte një situatë ideale." tha Veliaj

Në fund të diskutimeve projekti për mbjelljen e pishave u miratua me 31 vota pro, ndërsa Këshilltarët e PD u larguan pak para se të niste votimi i rendit të ditës. (e.c/noa.al)