Transmetuar më 23-11-2017, 22:46

Tashmë është zyrtare, tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë së Shtetit të shpallur në kërkim prej dy ditësh nuk ndodhen në Shqipëri.

Kjo është ajo që u bë e ditur mbrëmjen e së enjtes më emisionin “Opinion” nga  gazetari Dashamir Biçaku, i cili ka publikuar edhe datat e daljes nga Shqipëria të tre ish-zyrtarëve të lartë të policisë.

Sipas këtyre të dhënave, duke mos preferuar të bëjë të ditur emrat, gazetari theksoi se njëri prej tyre është larguar nga Shqipëria nga aeroporti i Rinasit më datë 9 Nëntor drejt Milanos dhe që prej asaj dite nuk është kthyer më.

Ish-zyrtari i dytë është larguar drejt Malit të Zi më 29 Gusht nga dogana e Muriqanit me një makinë me targa AA 808 OB. Ndërsa ish-zyrtari i tretë u largua përmes Kakavijës më 18 Nëntor me makinë me targa AA 911 JE.

Theksojmë se bëhet fjalë për ish-drejtorin e Policisë Vlorë Jaeld Çela, ish-shefin e krimit të organizuar në Vlorë Gjergj Kohilla dhe ish-shefin e kufirit në Dhërmi Sokol Bode.

Kjo vërteton se aksioni i policisë për arrestimin e tyre është dekonspiruar nga brenda uniformave blu. Edhe Kryeministri Edi Rama tha këtë të enjte nga studio e emisionit "360 gradë" se Ministria e Brendshme e di me emër dhe mbiemër se kush e ka dekonspiruar aksionin, duke paralajmëruar kështu kallëzim penal ndaj tyre që do të dorëzohet të nesërmen nga vetë Ministri Fatmir Xhafaj.

Tre ish-zyrtarët e lartë të Policisë janë shpallur në kërkim me kërkesë të Prokurorisë për arrestimin e tyre si të dyshuar në rrjetin e trafikut të grupit Habilaj. (e.c/noa.al)