Transmetuar më 24-11-2017, 08:59

Një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar i dyshuar si pjesëtar i bandës së “Babagjyshëve”, është vënë në prangat e policisë së Hollandës.

Nga ana e Interpol Haga në bashkëpunim me Interpol Tirana, u bë i mundur arrestimi provizor në Hollandë me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë, i 31-vjeçarit shqiptar Fatmir (Fatjon) Pjetri, lindur në Buçpapaj të Pukës.

I riu është shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, në dhjetor të vitit 2014, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për kryerjen e veprave penale të “Vjedhjes me armë”, “Krijimit të grupit të strukturuar kriminal” dhe “Kryerjes së veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal”.

I arrestuari është pjesë e bandës së “Babagjysghëve” të dyshuar për grabitjen e qendrës tregtare TEG, katër vite më parë.

Ai akuzohet si pjesë e bandës që vodhi me armë argjendarinë në qendrën tregtare ku katër persona të veshur si babagjyshët e Vitit të Ri sulmuan dyqanin gjatë një orari të mbipopulluar në 24 dhjetor të vitit 2013, në vigjilje të Krishtlindjes.

Banda e “Babagjyshëve” dyshohet se është përgjegjëse për nëntë grabitje, shtatë prej të cilave të ndodhura në Shqipëri dhe dy në Strugë. Banda e “babagjyshëve” drejtohej nga Ilir Kupa nga Fushë Kruja, i dënuar më parë në Greqi për vepra të rënda kriminale, i cili është arrestuar dhe aktualisht ndodhet në burg. /a.y/noa.al

Të akuzuar për 13 vjedhje, Prokuroria dërgon për gjykim “Babagjyshët” VIDEO

Kapet një tjetër “babagjysh”, grabiti në TEG dhe firmën Mercedez Benz në Tiranë