Transmetuar më 24-11-2017, 13:28

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duke folur për mediat pas një takimi me deputetët në kryesinë e Kuvendit, u shpreh se dekonspirimi i aksionit të arrestimeve është bërë nga Fatmir Xhafa.

“Dekonspirimi i aksionit është bërë nga Fatmir Xhafa me porosi të Ramës për të mbrojtur Saimir Tahirin. Rama nuk lejon arrestimin e njerëzve që luajnë rol në inkriminim e Xhafës, Tahirit dhe Ramës veteë.

Ish-drejtori i Policisë së Vlorës nuk ndalohet se mbrojti vëllain e Xhafës, për të cilin ka urdhër për ndalim ndërkombëtar për trafik kokaine dhe bridhte i lirë në Vlorë. Si mundet Xhafa të firmosë një urdhër arresti ndërkombëtar për këta 3 koka të policisë të korruptuar e të lidhur me krimin kur ka 4 vite që refuzon urdhrin për vëllain e tij. Me Ramën në krye të qeverisë nuk ka as vetting, as dekriminalizim të politikës”, tha Basha.

Më tej Basha deklaroi se pikërisht këto fakte dhe të tjera faktojnë se Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit kanë funksionuar si kupolë kriminale.

"Të nisë me vettingun në ministrinë e Brendshme dhe qeverinë. Hapi i parë largimi i Ramës nga kreu i qeverisë. Hapi i dytë proces spastrim në Ministrinë e Brendshme dhe strukturën qeveritare për të pastruar këtë kancer që ka shtrirë tentakulat e veta.

Gjendja është alarmante. Prokuroria të çojë përpara hetimin. Arrestimi një orë e më paerë i Tahirit dhe kokave të policisë është edhe parathënia për aksionin për pastrimin e politikës nga krimi", u shpreh Basha. /b.l/noa.al/