Transmetuar më 24-11-2017, 14:17

Shumë persona raportohet të kenë vdekur pas një shpërthimi në veri të Egjiptit gjatë kohës së lutjes së të premtes.

Shpërthimi ndodhi në afërsi të një xhamie dhe u shoqërua nga një sulm i armatosur i kryer nga militantët islamikë, raporton ‘Reuters’, duke cituar dëshmitarë okularë dhe burime sigurie.

Dëshmitarët thanë se pajisja shpërthyese ishte vendosur pranë xhamisë së Al-Rawdah në qendër të qytetit të Bir al-Abd, në provincën Veri-Sinai të Egjiptit.

Sipas dëshmitarëve të gjithë ata besimtarë që tentonin të largoheshin nga xhamia sulmoheshin nga persona të armatosur.

Një deputet vendas tha se sulmuesit e rrethuan xhaminë dhe militantët që mbanin xhaketa vetëvrasëse ishin "të fshehur" në mesin e njerëzve brenda xhamisë.

Raportohet se në xhami ndodheshin më shumë se 125 besimtarë, ku mes viktimave dhe të plagosurve kishte edhe fëmijë. Media vendase raportojnë se të paktën 54 vetë u vranë dhe 75 u plagosën.

Të paktën 12 ambulanca nxituan në vendngjarje dhe spitalet vendase shpallën gjendje të jashtëzakonshme ndërsa trajtonin viktimat. Presidenti egjiptian Abdel Fattah el-Sisi mblodhi anëtarë të kabinetit të tij për një takim të komitetit të sigurisë pas sulmit. /b.l/noa.al/