Transmetuar më 29-11-2017, 15:24

Vetëm pak pasi gjykata e shpalli fajtor, i akuzuari për krime lufte, Slobodan Praljak, ka pirë helm në Tribunalin e Hagës, teksa është fokusuar nga kamerat e pranishme. Ai ka ndërruar jetë pak orë më vonë në spital.

“Sllobodan Praljak, 72 vjeç, një ish-komandant në luftën e Bosnjes 1992-1995, piu para të gjithëve një shishe që kishte me vete dhe bërtiti “Nuk jam një kriminel lufte”, raportojnë mediat.

Ai ishte dënuar me 20 vite burg në vitin 2013 për kryerjen e krimeve të luftës ndaj civilëve në Mostar të Bosnjës dhe Hercegovinës.

 Teksa dëgjoi se dënimi i tij është përfundimtar, ai nxori një shishe dhe pasi e ktheu më në fund i tha gjyqtarit: "Kam pirë helm".

Veprimi i Praljak ka lënë të shtangur njerëzit e pranishëm në sallën e gjyqit. Avokati i Praljakit më pas thirri: “Klienti im thotë se ka pirë helmin”, ndërkohë që kryetari i kolegjit pezulloi seancën dhe bëri thirrje për një mjek.

Praljak ishte një nga gjashtë ish- udhëheqësit politikë dhe ushtarakë kroatë të Bosnjës për të dëgjuar vendimet e apelit.

Të gjithë ishin dënuar në vitin 2013 për persekutimin, përjashtimin dhe vrasjen e myslimanëve gjatë luftës së Bosnjës. /b.l/noa.al/