Transmetuar më 05-12-2017, 17:24

Dorëheqja e shtatë mjekëve të Urgjencës në QSUT-së është kthyer shpejt në qendër të vëmendjes, duke u përfshirë në replikat politike.

Por vetë shefi i Urgjencës në QSUT, Edmond Zaimi në një dalje për mediat sqaroi situatën duke theksuar se mjekët nuk kanë dhënë dorëheqje.

Por sipas tij, kanë bërë një peticion ndaj Drejtorisë së Urgjencës për rregullimin e shërbimit dhe kushteve që sipas tij dukshëm mungojnë.

 “Absolutisht jo, ne nuk kemi dhënë dorëheqje në ’97, kjo është një kërkesë e jona për të rregulluar problemet nëpërmjet Drejtorisë. Është puna e Drejtorisë më tej që do të zgjidhë problemet duke përforcuar të gjitha hallkat e sistemit. Por shpesh herë zgjidhja e këtyre problemeve dalin jashtë mundësive dhe kapaciteteve tona”, tha mjeku.

Sipas tij shërbimi i Urgjencës përballet me fluks të madh pacientësh nga e gjithë Shqipëria që tejkalon mundësitë dhe kapacitetet e personelit të këtij shërbimi.

“Është një problem që ka ekzistuar por që thelluar së tepërmi këto ditët e fundit duke bërë të pamundur vazhdimësinë e punës nga ana jonë. Por janë probleme që do ti zgjidhim përmes njëri-tjetrit me forca tona të brendshme, gjithashtu duhet sensibilizuar ndoshta dhe opinionin publik për ta shfrytëzuar shërbimin e urgjencës për nevojat e urgjencës jo për probleme që nuk kanë lidhje me urgjencën, të cilat mund ti zgjidhë shumë mirë shërbimi parësor ose spitalet rajonale”, tha Zaimi.

Kujtojmë se menjëherë pas publikimit të lajmit, zv/ministrja e shëndetësisë ka zhvilluar një takim me mjekët dhe përfaqësuesit e Urgjencës në QSUT. (e.c/noa.al)