Transmetuar më 11-12-2017, 09:06

Në 71 vjetorin e krijimit të UNICEF, Presidenti i vendit Ilir Meta ka apeluar për reflektim për të sotme dhe të ardhmen e fëmijëve.

Përmes një postimi në rrjetin e tij social Facebook, Meta kërkon rritjen e përkujdesit dhe dashurisë ndaj fëmijëve, veçanërisht ndaj atyre pa kujdes prindëror.

“Sot, në ditëlindjen e UNICEF, të reflektojmë për të sotmen dhe të ardhmen e fëmijëve, për të rritur përkujdesin e dashurinë, veçanërisht ndaj atyre pa kujdes prindëror, si dhe për të promovuar të drejtat e tyre e për t’ju garantuar të ardhmen në një Shqipëri më njerëzore”, shkruan Meta.

UNICEF u themelua nga Kombet e Bashkuara më 11 dhjetor 1946 si një fond për të përmbushur nevojat emergjente të fëmijëve pas luftës në Evropë dhe Azi.

Në vitin 1950 mandati i UNICEF u zgjerua për të trajtuar nevojat afatgjata të fëmijëve dhe nënave kudo që ishin, në vendet në zhvillim. UNICEF u bë pjesë e përhershme e sistemit të Kombeve të Bashkuara në vitin 1953.

Sot UNICEF është organizata e vetme e sistemit të Kombeve të Bashkuara që i përkushtohet plotësisht, kudo në botë, zbatimit të të drejtave të fëmijëve për mbijetesë, zhvillim, mbrojtje dhe pjesëmarrje./b.l/noa.al/