Transmetuar më 11-12-2017, 14:10
Publicitet

Melomakaronat janë biskota tradicionale greke me arra dhe mjaltë, të cilat përgatiten veçanërisht me rastin e festës së Krishtlindjeve. Nëse dëshironi një drekë apo një darkë nga kuzhina greke, këto lloj biskotash nuk duhet të mungojnë.

Për rreth 25 biskota: 300 gr miell, 120 gr gjalpë në temperaturë ambienti, 75 gr sheqer pluhur, 160 ml vaj ulliri i cilësisë më të mirë, 2 lugë kafe kanellë, 1 lugë kafe pluhur pjekës, 1 gotë (uji) arra të grira, 1/2 lugë të vogël karafil pluhur, 1 lugë gjelle konjak, lëngu i një kokrre portokalli.

Për shërbetin: 6 lugë gjelle mjaltë, 1 gotë ujë, 1 gotë sheqer, 1 lugë gjelle lëng limoni

Përgatitja: Në një enë të thellë, me ndihmën e mikserit, rrih gjalpin, vajin e ullirit dhe sheqerin pluhur, derisa masa të marrë një ngjyrë të hapur. Shto lëngun e portokallit, karafilin pluhur, kanellën dhe konjakun duke vazhduar përzierjen edhe për pak sekonda.

Shto miellin dhe pluhurin pjekës, duke e përzier të gjithë masën me dorë derisa të bëhet homogjene. . Merr copa të vogla nga brumi duke u dhënë formë (ovale ose rrethore)dhe vendosi njëra pas tjetrës në një tavë të shtruar me letër furre. Piqen në furrë të parangrohur në temperaturë 1800 C për 20-30 minuta (derisa biskotat të kenë marrë ngjyrë të artë.

Përgatitja e shurupit: Në një tenxhere apo tigan të thellë hidh ujin, sheqerin, mjaltin dhe lëngun e limonit. Përzieje masën në zjarr të ngadaltë për rreth 10 minuta.

Në një enë të vogël bashko masën me arra të grira imët, pak gjalpë, kanellën dhe 2 lugë gjelle nga shurupi i mësipërm. Pasi biskotat janë ftohur, futi në sherbet nga dy ose tre me ndihmën e një luge me vrima. Lëri për disa sekonda dhe nxirri menjëherë duke i spërkatur me arra. Vendosi në një pjatë derisa të ftohen plotësisht.