Transmetuar më 11-12-2017, 15:00

Një djalë i ri i ka dalë përpara një gruaje dhe e ka kanosur nën kërcënimin e thikës, gjatë mbrëmjes së djeshme.

Ngjarja ka ndodhur në zonën e Babrrusë, në Kamëz, ku M. Gj., 21 vjeç, banues në Babrru rreth orës 18:00 të mbrëmjes së djeshme, ka kanosur me thikë shtetasen S.D., 42 vjeçe,  banuese në Shpat Babrru, në afërsi të banesës së saj.

Gruaja ka shkuar e terrorizuar në shtëpi, ku ka treguar gjithë sa i ka ndodhur.

Pas kësaj, rreth orës 19:30, shtetasit M. D., E. E., dhe G. D., në bashkëpunim me njeri tjetrin, në Babrru, në mjetin tip “Ford Fokus”, kanë marrë me forcë shtetasin M. Gj., dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij në një bodrum, duke i kërkuar llogari mbi motivet e kanosjes.

Noa.al mëson se njëri nga personat që mori me forcë 21-vjeçarin në mjet, është djali i gruas, ndërsa dy të tjerët të afërm të tyre.

I dëmtuari pasi u la i lirë nga dhunuesit bëri denoncimin në polici. Kjo bëri që nga ana e uniformave blu në cilësinë e provës materiale të bllokohet thika dhe mjeti.

Ndërkohë që policia vuri në pranga 21-vjeçarin M.Gj., dhe tre personat që e rrëmbyen dhe ushtruan dhunë ndaj tij M. D., 21 vjeç, banues në Babrru, kamëz G. D., 25 vjeç, banues në Babrru Kamëz dhe E. E., 23 vjeç, banues në Babrru Shpat.

Policia është e rezervuar në dhënien e detajeve të tjera lidhur mbi motivet e ngjarjes, ndërsa thotë se hetimet janë në vijim. /a.y/noa.al

Foto ilustruese