Transmetuar më 16-12-2017, 18:07
Publicitet

Lobimit për njohjen e Kosovës ndërkombëtarisht, Behgjet Pacolli i dha peshën kryesore në intervistën e tij të gjatë për Radio Televizionin Publik, RTK.

Kreu i diplomacisë kosovare nuk ngurroi të tregonte se është duke përdorur pa kursim çdo potencial të mundshëm në këtë drejtim, përfshirë dhe ato private.

“Por trendi që shoh nuk më kënaq”, u shpreh ministri i Jashtëm kosovar, i cili përmendi në këtë kontekst edhe Shqipërinë, duke thënë se nuk ka bërë sa duhet për Kosovën në aspektin e lobimit.

“Unë nuk jam i lumtur me disa njerëz të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, por me shumicën e tyre po. Është dashur që të ketë shumë më tepër energji, për arsye se ata janë të lirë, ata janë vend sovran dhe mund të kërkojnë sa më tepër, kudo që janë në favor të Kosovës. E di se ata kryejnë punë diplomatike të vetat, por unë u jap një rekomandim, që edhe më tepër të punojnë për Kosovën”, tha Pacolli.

Beogradi, nga ana tjetër është i angazhuar në maksimum ta bllokojë njohjen e Kosovës, e për shkak të veprimeve të tij dhe mundësia për të trokitur në dyert e shteteve të ndryshme, sipas Pacollit po ngushtohet.

Ministri i Jashtëm kosovar kujtoi gjithsesi se, gjatë kësaj periudhe nuk kanë munguar as sukseset, e shtoi se njohja që Madagaskari i bëri Kosovës e zhgënjeu pa masë kryediplomatin serb Ivica Daçiç.