Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, komenton zhvillimet e brendshme politike duke thënë se rreziku kryesor që kanos ëndrrën europiane për Shqipërisë dhe vendet e tjera të rajonit, është korrupsioni dhe krimi i organizuar i lidhur me qeverinë.
“Korrupsioni dhe krimi i lidhur me qeverinë, janë armiku numër një i demokracisë, i ekonomisë, i qytetarëve”, u shpreh Basha.
Ai nënvizoi se përgjigja ndaj këtyre fenomeneve është ngritja dhe konsolidimi i institucioneve të pavarura, sidomos atyre të drejtësisë.
Basha bëri të ditur se opozita në Shqipëri do të luftojë deri në fund, për Kushtetutën, dhe për drejtësinë e pavarur që lufton krimin e korrupsionin.
Deklarata e tij u bë gjatë një takimi që pati sot me kryetarin e Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferri.
Basha ndau vlerësimin që sjell caktimi i tij në krye të Parlamentit në vendin fqinj, si një shenjë kjo e emancipimit politik dhe progresit të shoqërisë maqedonase, si tregues i ecjes përpara në realizimin e të drejtave të shqiptarëve, dhe si pikë kulmore e bashkejetesës demokratike.
Partia Demokratike, tha Basha, e ka interesin e shqiptarëve dhe interesin kombëtar, në krye të qëndrimeve dhe vokacionit të saj politik.
Basha deklaroi se PD ka mbështetur dhe ka nxitur vazhdimisht respektimin dhe përmbushjen e plotë të Marrëveshjes së Ohrit dhe integritetin territorial të Republikës së Maqedonisë, si një interes strategjik i vendit tonë.
Kryetari i Partisë Demokratike nënvizoi se përmbushja e plotë e Marrëveshjes së Ohrit me avancimin e mëtejshëm të të drejtave të shqiptarëve dhe gjuhës shqipe atje, është rruga drejt sigurisë dhe stabilitetit në Maqedoni dhe më gjerë në rajon.
Partia Demokratike, u shpreh Basha, do të vazhdojë të mbështesë pa u kursyer procesin e integrimit të Maqedonisë në NATO. /a.y/noa.al