Transmetuar më 21-12-2017, 16:39
Publicitet

Brukseli është alibi. Dilema reale është: me Tramp apo me Erdoganin. Vetëm një dyfish i rrezikshëm, aventurier dhe i çmendur, mund të marrë vendimin e gabuar. Le të pranojmë për një çast se Brukseli për ne shqiptarët prevalon mbi gjithçka.

Nga Ilir Babaramo

Qeveria shqiptare duket se do luajë rolin e strucit për çështjen e fundit më të rëndësishme në arenën ndërkombëtare: vendimin e presidentit Tramp për të zhvendosur selinë e ambasadës së SHBA , nga Tel Avivi në Jeruzalem. Shqipëria nuk vuan nga gjigandomania që të ketë përgjigje për gjithçka ndodh në botë, qëndrimi ynë do jetë ai Komisionit Evropian, tha ministri i jashtëm Ditmir Bushati duke lënë qartë të kuptohet se është kundër lëvizjes së Uashigtonit. Po a është kjo mënyra e duhur për të reaguar në përputhje me të drejtën historike dhe mbi të gjitha me interesat strategjike jetike të shqiptarëve? Përgjigja e prerë është: jo.

Alibia e Bushatit rrëzohet menjëherë nëse kemi parasysh se çfarë ndodhi në fillim të kësaj jave. Mjafton të shikojmë foton familjare të takimit informal të kryeministrave të Ballkanit të thirrur nga komisionerja Mogerini. Në ato pamje kryeministrja serbe duket si një pulë e shushatur mes gjelave të Ballkanit. Pamja e saj nuk ishte fort e natyrshme sepse në të njëjtat çaste që Brukseli përpiqej të afronte vendimmarrësit ballkanikë në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian, avioni i shefit të Bërnabic, presidentit Vuçiç, ulej në aeroportin e Moskës. Vuçiç shkoi në Moskë në një vizitë shtetërore. Në të njëjtën kohë kur në Bruksel diskutohej për integrimin evropian, Vuçiç u takua me Putin dhe deklaroi se: Beogradi kurrë nuk do pranojë sanksionet e vendosura Rusisë nga Bashkimi Evropian. Moska vendosi veton në Këshillin e Sigurimit të OKB për rezolutën e paraqitur nga Britania e Madhe që e përcakton Srebenicën si genocid, ndërsa gjatë gjithë kohës ka mbrojtur integritetin territorial të Serbisë, aludoi Vuçiç për Kosovën. Deklarata e shefit të Beogradit se kurrë nuk do njohë sanksionet e BE ndaj Rusisë ishte dhe këtë herë një karshillëk arrogant që Serbia i bën Brukselit. Por ky qëndrim vis a vis nuk i ka shkaktuar asnjë pasojë Serbisë në procesin e integrimit evropian. Në të njëjtën kohë kur ndodhi e gjitha kjo, Brukseli vendosi të hapë negociatat me Serbinë dhe për tre kapituj të tjerë. Ndërkohë Shqipëria është lënë vite pas. Ende Komisioni nuk ka marrë vendimin fillestar, atë në parim për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Pra bie alibia e Bushatit se po mbështetëm Uashigtonin për Jeruzalemin nuk integrohemi në BE. Ca më tepër që për rastin e sanksioneve kundër Rusisë ka disa vendime të Këshillit Evropian, institucionit më të lartë vendimmarrës të BE, ndërkohë që për Jeruzalemin kemi vetëm një deklaratë të komisioneres Mogerini dhe dy tre deklarata shefa qeverish, pra asgjë formalisht zyrtare të të gjithë Unionit. Në këto rrethana shtrohet pyetje : Përse Shqipëria në Bruksel nuk vepron me Shtetet e Bashkuara ashtu siç vepron Serbia me Rusinë ? Ca më tepër që motivi është i njëjtë: Kosova.

Shqipëria do merrte poza gjigandomanie nëse Rama do tentonte të mbyllte Netanjahun dhe Mahmut Abazin tek Live Gallery në Korçë dhe tu bënte gjithë presionin e mundshëm të një vendi që ka mbi 1000 testata nukleare dhe një GDP 50 mijë euro për frymë për të arritur marrëveshjen e paqes. Bushati gabon. Askush nuk kërkon diçka të tillë nga diplomacia shqiptare. Ajo që kërkohet është thjesht vota. Vota që ka dhe shteti më i humbur në glob. Ambasadorja e SHBA në OKB paralajmëroi qartë: Do mbajmë shënim çdo vend që del kundër vendimit tonë për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të OKB. Çfarë duhet të ndodhë më tepër ? Çfarë sinjali tjetër pret qeveria shqiptare për të ndryshuar qëndrim dhe të heqë dorë nga aventura që të ndjekë Erdoganin në pozat e tij prej kalifi?

Brukseli është alibi. Dilema reale është: me Tramp apo me Erdoganin. Vetëm një dyfish i rrezikshëm, aventurier dhe i çmendur, mund të marrë vendimin e gabuar. Le të pranojmë për një çast se Brukseli për ne shqiptarët prevalon mbi gjithçka. Rrënjët e Bashkimit Evropian janë qytetërimi judeokristian. Janë pikërisht aty në Jeruzalem. Aty ku shqiptarët kanë shënuar një nga faqet më të ndritshme të historisë së tyre. Për gati dy dekada, në mesin e shekullit XIX, qyteti i shenjtë është administruar nga shqiptari Mehmet Ali dhe i biri i tij Ibrahim. Themeluesi i dinastisë shqiptare të Egjiptit modern , në aleancë diplomatike me Britaninë e madhe dhe Francën dëboi me shpatë wahabistët sauditë. Në Jeruzalem, pas pesë shekujsh që nga koha e kryqëzatave, u dëgjuan këmbanat e kishave. Rabinët gjithashtu u lejuan të kthehen në Malin e Tempullit. Pa dyshim , ky është një fakt historik që duhet të na bëjë krenarë. Krijoi precedentin se shqiptarët kanë luftuar për tolerancë fetare dhe kurrë nuk kanë qenë me wahabistët. Madje kanë kontributin se gjatë administrimit të tyre , pas shumë shekujsh diskriminimi të dhunshëm fetar, më në fund Jeruzalemi u bë në mesin e shekullit të XIX, qytet i hapur për të tre besimet abrahamike. I tillë vazhdon të jetë që nga koha e Ibrahimit, birit të Mehmetit.

Mund të ketë disa që mund të pyesin: Përse ta mbështesim Tramp në një vendim të gabuar? Përmes vendimit të njëanshëm, presidenti amerikan duket se synon ti japë fund armëpushimit që zgjat prej vitesh për të sjellë paqe të qëndrueshme. Arabët kërkojnë të veprojnë me Haram al Sharif si me një “tokë të xanun”, ajo hapësirë ju takon vetëm tyre dhe kush afrohet është në gjak me ata. Në këtë formë kërkojnë dhe ta “legalizojnë” në negociata , ku shpesh mohojmë atë për të cilën kanë rënë dakord. Ajo hapësirë 3 mijë vjet më parë ishte judaike dhe dy mijë vjet më parë edhe kristiane. Madje për këto dy besime është më e rëndësishme se xhamia al Aqsa që ndërtuan myslimanët 1400 vjet më parë. Rëndësia e Al Aqsa renditet e treta, pas Mekës dhe Medinës.

Vendimi i Tramp nuk ishte ishte një fund i tmerrshëm për një tmerr pa fund. Ishte një lloj veze Kolombi. Ishte një lloj shkundjeje , një taktikë që bëhet në negociate. Ishte një kthim tek bisedimet e dështuara të vitit 2000 në Camp David. Këto bisedime të ndërmjetësuara nga Klinton përfunduan me një dokument paqeje. Statusi i Jeruzalemit zgjidhej me konsensus. Jeruzalemi lindor do ishte kryeqytet i Palestinës. Kryeministri Barak e pranoi më në fund këtë plan. Arafat e refuzoi. Klintoni në kujtimet e tij shkruan se Arafat i rrëfeu se ishte maksimumi që mund të merrte, por s mund ta pranonte sepse ekstremistët arabë mund ta vrisnin . “Mos këmbëngul nëse nuk do të marrësh pjesë në funeralin tim”, u shfajësua Arafat. Në fakt katër vjet më pas Klinton mori pjesë në funeralin e Arafat. Por paqja nuk ishte arritur. Arafat nuk vdiq si një burrë shteti që bën paqe, siç vdiq Jitzhak Rabin. Ajo që la pas ishte sherri mes pasuesve të tij politikë dhe Suhas , mantenutës së tij franceze për 1 miliardë dollar të OÇP që i mbante në llogari bankare personale. Tani, pas gati dy dekada ngërç, vendimi i fundit i Trump synon ti sjellë palët tek ai plan paqeje që Arafat refuzoi si një lalash.

 Në marrëdhëniet ndërkombëtare nuk ka vendim të gabuar, ka aleanca të gabuara. Bushati e di maksimën e diplomatit më të shquar në historinë e SHBA. “Shtetet e Bashkuara nuk kanë aleatë të përjetshëm , kanë interesa të përjetshme”, paralajmëronte Kissinger. Dhe interesat e shqiptarëve dhe amerikanëve konvergojnë në Kosovë.

Vendimi i mundshëm për të ndjekur pas Erdoganin në luftën politike kundër SHBA nuk mund ta bëjë asnjë shqiptar normal. Mund ta bëjë vetëm hoxha i xhamisë së Unazës së re ose dikush që ka interesa personale okulte me “kalifin e ri”. Madje vetëm dikush që është peng i këtyre interesave. Shkelja e syrit se përmes Turqisë mund ti bëjmë presion Greqisë në negociatat e përcaktimit të shelfit kontinetal nuk vlen më. Në bisedimet e Kretës, qeveria shqiptare u zbyth. Atëherë për çfarë interes shqiptar duhet mbështetur Erdogan në luftën e tij kundër mullinjve të erës ?

Historia dëshmon se streha mbrojtëse e shqiptarëve dikur ishte në Vjenë dhe tani në Uashigton. Kurrë në Stamboll apo Ankara. Të kujtojmë ca momente vendimtare. Në vitin 1878, në kohën perandoria osmane po zbythej nga Ballkani dhe shqiptarët e shqetësuar për fatin e mëtejshëm të tyre si komb u mblodhën në Prizren dhe vendosën të kërkojnë nga Porta e Lartë ruajtjen e tërësisë së trojeve shqiptare në kuadrin e një autonomie brenda perandorisë, kërkesë më luajale e mundshme, përgjigja e Stambollit ishte masakra. Gjatë shekullit XX , Turqia ka shpërngulur shqiptarë shumë më tepër se dhe vetë Milosheviçi. Nëse presidenti I Serbisë e bëri këtë për disa javë, Turqia e bëri ngadalë, pa shumë bujë , për disa dekada. Turqia është zbatuesja e planit më kriminal që është konceptuar ndonjëherë ndaj shqiptarëve: doktrinës Çubriloviç. Gjatë shekullit të kaluar, u ekzekutua marrëveshja mes Beogradit dhe Ankarasë, për shpërnguljen nga trojet shqiptare në Jugosllavi miliona shqiptarë. Ashtu si pas traktatit të Lozanës u dëbuan dhjetëra mijëra çamë në Turqi. Vetëm ndërhyrja energjike e Medi Frashërit në Lidhjen e Kombeve ndërpreu skemën greko-turke që i paraqiste çamët si turq që shpërnguleshin në kuadër në shkëmbimit të popullsisë dhe territoreve. As kujtesa historike, as raport i forcave, as interesat kombëtare nuk lënë shteg për asnjë dilemë.

Sigurisht Ditmir Bushati i të gjitha këto. E kaluara profesionale e Bushatit nuk është e ndonjë doganieri të kontrollit fizik që nga marrëdhëniet ndërkombëtare kupton vetëm deklaratën doganore të një kontenieri kinez, të ndonjë doganieri që është çuar ambasador tek “sulltani” për të kuruar interesa private okulte. Pikërisht për këtë arsye Bushati kupton fare qartë se çfarë po ndodh. Ai e di mirë se qëndrimi që do mbajë për këtë çështje është vendimi i tij më i rëndësishëm në atë zyrë. Nëse i imponojnë aventurën bën mirë të ikë. Nëse nuk ka ngrënë kumbulla të thara në Stamboll nuk ka përse ti mpihen dhëmbët.