Transmetuar më 25-12-2017, 12:29
Publicitet

Gjatë meshës së Krishtlindjes, kryepeshkopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Anastas Janullatos foli për vendimin e Presidentit Ilir Meta, i cili i dha një ditë më parë nënshtetësinë shqiptare përmes një dekreti.

Janullatos falënderoi Presidentin për këtë vendim, duke e krahasuar dhënien e shtetësisë shqiptare me verën, që sa më shumë vjetërsohet aq më shumë vlera merr.

“Ditën e djeshme shefi i kabinetit të Institucionit të Presidentit të Republikës, z.Arben Cici, nxitoi në zyrën time sinodike dhe më dha një telegram nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, ku më vinte në dijeni se Kryepeshkopit iu dha nënshtetësia shqiptare. Shpreha gëzimin tim për këtë akt dhe falënderimet e mia për Presidentin Meta, por shtova që unë që nga çasti kur u bëra Kryepeshkop dhe erdha këtu në Shqipëri jam ndjerë si një qytetar shqiptar që punon dhe ka përgjegjësi për këtë vend”, tha Kryepeshkopi.

Më tej shtoi se ky vendim që mori Presidenti Meta gëzon shumë ortodoksë në mbarë vendin, të cilët presin prej shumë vitesh që të marrin pikërisht këtë lajm dhe ndjejnë gëzim shumë të madh në lidhje me këtë akt.

“Përfundoj fjalën time duke thënë se disa gjëra, siç është vera për shembull, me kalimin e kohës ato përftojnë vlerë akoma më të madhe. Përvojën time 25-vjeçare këtu, Presidenti e përshkruan me shumë miqësi dhe brenda letrës së tij i shtohet rëndësi shumë të madhe edhe peshë këtij vendimi që ai ka ndërmarrë”, u shpreh Kryepeshkopi Janullatos.

Gjithashtu, gjatë meshës u lexua edhe mesazhi që Presidenti i dërgoi kryepeshkopit Anasatas Janullatos me rastin e dhënies së shtetësisë shqiptare dhe urimi i tij me rastin e festës së Krishtlindjes. /a.y/noa.al